Edhe pse Kylian Mbappe dhe Ousmane Dembele kanë mohuar publikisht se mes tyre ka probleme, tensioni i raportuar mes dy futbollistëve francezë duket se nuk është shuar plotësisht.
Të lidhura
None found
Sipas mediumit francez L’Equipe, situata lidhet me zhvillimet rreth garës për Topin e Artë, ku të dy lojtarët u përfshinë në një rrethanë të pakëndshme.
Mbappe kishte deklaruar së fundmi se kishte komunikuar me Dembelen dhe se mes tyre “nuk ka tensione”, duke këmbëngulur se marrëdhënia e tyre nuk paraqet problem.
Dembele, nga ana tjetër, dha një përgjigje të ngjashme. Ai tha se nuk donte të përfshihej në komentimin e “luftërave të vogla në rrjetet sociale” dhe se vëmendjen e kishte të përqendruar te paraqitjet në fushë.
Megjithatë, L’Equipe shkruan se situata brenda përfaqësueses së Francës është më e ndërlikuar nga sa është paraqitur publikisht. Sipas këtij raportimi, para grumbullimit në Clairefontaine, Mbappe dhe Dembele nuk kishin zhvilluar një bisedë drejtpërdrejt me njëri-tjetrin.
Dy futbollistët thuhet se kishin shkëmbyer një mesazh, por ai nuk kishte marrë përgjigje. Kjo, sipas mediumit, kishte ndikuar në raportin mes dy yjeve francezë.
Mbappe raportohet se ishte befasuar nga qëndrimi i Dembeles gjatë grumbullimit, pasi nuk e kishte menduar se bashkëlojtari i tij do të vazhdonte të ishte i pakënaqur për këtë çështje.
Gjatë grumbullimit, Mbappe u pa gjithashtu më i afërt me Michael Olisen.
Megjithëse deklaratat publike të të dyve lënë të kuptohet se gjithçka është në rregull, L’Equipe pretendon se marrëdhënia mes Mbappes dhe Dembeles ende nuk është rikthyer plotësisht në normalitet.
