Shitet për shifrën e frikshme shiriti i Ronaldos, i shpëton jetën djaloshit serb

Cristiano Ronaldo në nerva e siper e hodhi shiritin e kapitenit në tokë në atë ndeshje mes Serbisë dhe Portugalisë, e përfunduar me shifra 2-2, me portugezin, që iu anulua pa të drejtë një gol i rregullt në fund.

Pasi ylli i Juventusit e hodhi shiritin dhe u largua në dhomat e zhveshjes, Djordje Vukicevic, zjarrfikës atë natë në stadium, e mori shiritin para të gjithëve dhe më pas vendosi t’ia japë shoqatës humanitare, Together for Life.

Kjo e fundit e nxori menjëherë në shitje shiritin në një ankand në internet, që ka përfunduar ditën e sotme. Shiriti i Ronaldos është shitur për plot 64 mijë euro.

Gjithë këto para do të shkojnë për trajtimin mjekësor të një djali nga Serbia, që vuan nga atrofia muskulore kurrizore dhe që ka nevojë për ndihmë mjekësore jashtë vendit të tij.

Kjo është fuqia e personave të tillë. Shpëtojnë jetë njerëzish edhe në rastin që bëjnë një gjest të pakontrolluar në moment gjaknxehtësie. Sigurisht, pa harruar gjestin e zjarrfikësit, që e dhuroi për bamirësi.


Shtuar 2.04.2021 14:05