Diego Simeone ka treguar edhe një herë se autoriteti i tij tek Atletico Madrid është i padiskutueshëm dhe çdo lojtar gjaknxehtë duhet të bëjë llogaritë me trajnerin para se të veprojë.
Kjo u pa sot në miqësoren që Atletio Madrid po luante në Holandë kundër Fejenordit, ku Janik Karrasko u bë protagonist i një çmendurie të vërtetë duke detyruar trajnerin të ndërhynte.
Pak para fundit të pjesës së parë, lojtari belg i Atleticos goditi një kundërshtar në tokë dhe shkaktoi një sherr mes lojtarëve të dy ekipeve, ku ai më pas edhe gjakosi në qafë një prej lojtarëve të Fejenord.
Belgu ishte i pandalshëm edhe për shokët e ekipit, të cilët e kishin të vështirë ta mbanin pasi ai po u vërsulej edhe kundërshtarëve të tjerë.
Kjo detyroi trajnerin Simeone që të hynte në fushë dhe të shkonte aty ku po ndodhte gjithçka.
Vetëm fjalët e trajnerit, ose më saktësisht ulërimat e tij, bënë që Karrasko të qetësohej e të largohej drejt dhomave të zhveshjeve, pasi u ndëshkua me karton të kuq për çmendurinë e tij.
Kjo është ndoshta më e lehta me të cilën do të përballet, pasi në Spanjë janë të sigurt se Simeone nuk do t’ia falë lehtë atë që ndodhi sot.