Pas dy ndeshjeve të luajtura në Kupën e Botës, Katar 2022, Serbia ka vetëm një pikë, të cilën e mori ditën e sotme përballë Camerunit, në një ndeshje ku serbët kishin në dorë 3 pikët.
Fakti që ishin në avantazh të dyfishtë dhe nuk arritën ta mbanin atë duket se u ka “prerë” krahët serbëve.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç si duket e ka ndjerë diçka të tillë dhe së fundmi ka bërë një reagim, ku kërkon mbështetje nga i gjithë populli për kombëtaren e tyre si kur humb ashtu edhe kur fiton, shkruan albeu.com.
Vuçiç i ka kërkuar qytetarëve serbë që të mbështesë fuqishëm kombëtaren në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve përballë Zvicrës.
Përballje me Zvicrën nuk është vetëm një ndeshje futbolli për të dyja kombëtaret, pasi siç e dimë Zvicra është një ekip i mbushur me shqiptarë.
Mjafton të kujtojmë ndeshjen në Botërorin e fundit, ku Serbia u mposht nga Zvicra falë golave të Xhakës dhe Shaqirit, të cilët pas golit bënë edhe shqiponjën dykrenare duke “tërbuar” serbët.
“Gjithmonë me vendin tuaj, me njerëzit tuaj dhe me kombëtaren serbe. Kurdoherë që jemi të zhgënjyer me rezultatin e skuadrës tonë, hedhim gurë te trajnerët dhe lojtarët tanë, në vend që t’i mbështesim dhe t’ju japim atyre më shumë suport. Kjo është arsyeja, dhe si tifoz i kombëtares, u kërkoj të gjithë qytetarëve që t’i japin kombëtares tonë mbështetjen më të madhe dhe më të fuqishme përpara ndeshjes me Zvicrën dhe t’u tregojmë atyre se u besojmë. Unë personalisht do të jem me ata edhe nëse humbin. Para Serbia, jetoftë sa më gjatë Serbia”, shkruan Vuçiç./albeu.com