Real Madrid “ngec” ndaj Villareal, PSG nuk njeh rezultat tjetër përveç fitores në Ligue 1 (VIDEO)

Real Madridi nuk ka arritur të marrë tre pikët përballë Villareal në “Santiago Bernabeu”.

Në ndeshjen e vlefshme për javën e shtatë të La Ligas, “galaktikët” u ndalën në barazim pa gola edhe pse rastet nuk munguan nga të dyjat skuadrat.

Skuadra e drejtuar nga Carlo Ancelotti nuk arriti dot të dominonte gjatë gjithë lojës kundërshtarin i cili ishte thuajse në të njëjtin nivel.

Edhe sa i përket gjuajtjeve në kuadrat, posedimit të topit apo korneve, diferencat ishin shumë të vogla.

Me këtë barazim Reali vazhdon të qëndrojë në vendin e parë me 17 pikë, 3 më shumë se Sevilla e vendit të dytë e cila është me një ndeshje më pak, ndërsa Villareal ndodhet në vendin e 10 me 8 pikë.

PSG pavarësisht emrave në fushën e lojës, vazhdon të ruaj perfeksionin pasi mposhti ditën e sotme Montpeiller në “Parc des Princes” në kuadër të javës së 8 në Ligue 1.

Edhe në këtë ndeshje “parisienët” nuk kishin në dispozicionin Leo Messin, me Di Marian që zuri vendin e tij dhe Mbappe e Neymar që plotësonin sulmin.

Vendasit do të zhbllokonin rezultatin në minutën e 14 me një nga lojtarët që më pak e prisnim, Gueye i cili shfrytëzon mirë një top të dhënë nga Di Maria.

Ky do të ishte goli i vetëm i 45 minutave të para, por PSG do të shënonte edhe golin në dytë dhe të sigurisë dy minuta nga fundi i ndeshjes me Draxler.

Me këtë fitore, PSG “blindon” vendin e parë më pikë të plota, ndërsa Montpeiller renditet në vendin e 11 me 9 pikë. /albeu.com/

 


Shtuar 25.09.2021 23:25