Beteja për të fituar të drejtën për të qenë sponsor i fanellave të Barcelonës po vazhdon, dhe tani ka raportime të shumta që thonë se një ofertë ‘astronomike’ nga Puma po vjen në drejtim të blaugranasve.
Momentalisht është kompania Nike ajo që i ka të drejtat, por diskutimet për ta zgjatur marrëveshjen me Barçën kanë ngecur dhe këtë situatë Puma po synon ta shfrytëzojë në favorin e saj.
Kriza e madhe financiare që ka kapluar gjigantin katalanas bën që ata të jenë të hapur për oferta të mëdha dhe pikërisht kjo është ajo që Puma dëshiron të bëjë.
Mediumi katalanas SPORT, raporton se Puma tash e sa kohë është munduar që të sigurojë këtë markë dhe të provojnë shanset e tyre, pasi tensioni mes Barçës dhe Nike ekziston.
Prioriteti i Pumas është që të evitohet një ‘luftë ofertash’ me Nike, por ata tashmë e kanë bërë të qartë ofertën e tyre – 100 milionë euro bonus nënshkrimi, ndërsa mes 120-140 milionë euro për vit, një rritje e madhe nga 85 në 105 milionë sa marrin aktualisht sipas The Athletic.
Kjo do jetë një nxitje e madhe financiarisht për Barcelonën, por problemi është se ata nuk do të mund të heqin dorë aq lehtë nga kontrata e tyre me Nike e cila skadon në 2026. /Telegrafi/