Presidenti Duka i ofron kontratën e re Silvinjos: Synojmë të shkojmë në botëror

Federata Shqiptare e Futbollit është jashtëzakonisht e kënaqur me punën që e ka bërë selektori Sylvinho.

Trajneri brazilian arriti t’i kualifikonte Kuqezinjtë në Kampionat Evropian, i cili do të mbahet në këtë verë në Gjermani.

Mirëpo, ish-futbollistit të njohur të Barcelonës dhe Manchester Cityt do t’i skadojë kontrata pas përfundimit të Euro 2024 dhe nuk dihet ende nëse do të vazhdojë t’i drejtojë “Shqiponjat” edhe në të ardhmen.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në një intervistë dhënë televizionit “Klan” mbrëmë, foli për situatën me trajnerin brazilian dhe për mundësinë që të vazhdojë rrugëtimi i përbashkët me synim të qartë kualifikimin në një garë edhe më prestigjioze sesa Evropiani.

“Ne jemi të kënaqur me atë çfarë ka bërë trajneri Sylvinho dhe i kemi ofruar rinovimin e kontratës për dy vite të tjera, synimi kryesor është kualifikimi në Botëror”, deklaroi Duka.


Shtuar 16.05.2024 16:18