Anësori Dejan Kulusevski, i cili në këtë merkato dimërore u largua nga Juventusi për në Tottenham, thekson dallimet mes Serisë A dhe Premier League dhe thotë se nuk e di se çfarë shkoi keq me Massimiliano Allegri.
Sulmuesi suedez, i huazuar për një vit e gjysmë te londinezët, me pagesën e një tarife huazimi prej 10 milionë eurosh, mund të nënshkruhet nga Tottenham në baza të përhershme për 35 milionë euro.
“Sinqerisht, nuk e di se çfarë shkoi keq në Juventus. Ndonjëherë kjo ndodh në futboll. Nuk gjeta hapësirë të mjaftueshme dhe nuk përmbusha dot atë që kisha brenda. Jeta Vazhdon. Kam pasur shumë momente të bukura, veçanërisht sezonin e kaluar”, tha ai për Sky Sport Italia.
“Tani jam lojtar i Tottenhamit dhe jam i lumtur. Premier League është një tjetër sport. Ka më shumë intensitet. Këtu thuajse nuk ka asnjë gabim”, theksoi ai. /albeu.com/