Prag ndeshja, Enrique: Dashuroj Italinë, por ne jemi Spanja

Trajneri i Spanjës, Luis Enrique, foli në vigjilje të gjysmëfinales së shumëpritur të Europianit kundër Italisë. Trajneri që po mërr frytet e këmbënguljes dhe punës së tij te La Roja, pret një përballje të vështirë, duke i njohur meritat kundërshtarëve të kaltër.

“Është gjithmonë e më e vështirë. Besoj se Italia është një skuadër argëtuese, që luan një futboll të bukur. Mban tipin dhe di të ushtrojë presing si sipër në sulm, ashtu edhe pranë zonës së saj. Është një skuadër e vështirë për tu përballur, do të jetë një ndeshje e vështirë, me intensitet dhe pasion”.

Një pyetje për trajnerin spanjoll edhe për një episod nga e shkuara si futbollist për një goditje me bërryl që ka marrë nga Tassoti në 94-ën, diçka që ish trajneri i Romës nuk i jep aspak rëndësi.

” Është një cështje e gazetarëve, unë nuk e kam folur kurrë me lojtarët. E kam njohur Tassotin dhe s’kam asnjë problem. Unë e dua Italinë, më pëlqen Italia dhe më pëlqen Roma, ku kam përjetuar një eksperiencë shumë të bukur, edhe pse vetëm për një vit. Për mua është gjithmonë një kënaqësi të luaj kundër Italisë, do ta bëjmë edhe në nëntor në Nations League. Dashuroj gjithcka nga Italia dhe nga Roma”.

Një pyetje intriguese është ajo se cfarë do ti këshillojë Luis Enrique qendërsulmuesit të tij, Alvaro Morata, për përballjen me Bonuccin dhe Chiellinin që po zhvillojnë një europian të shkëlqyer duke neutralizuar në ndeshjen e fundit edhe një gjigand si Romelo Lukaku.

“Zakonisht përpiqem të mos flas për individët, edhe pasi ata njohin njëri tjetrin më mirë se sa mund t’u them unë. Janë shokë dhe miq në klub. Më shumë se sa kjo, shqetësohem më shumë për të gjetur zgjidhjet më të mira të lojës për skuadrën tonë, duke menduar për atë se cfarë bën Italia dhe se cili do të jetë roli i të gjithëve në fushën e lojës”.

Por cili është gabimi që Spanja nuk duhet të bëjë në këtë gjysmëfinale?

“I vetmi gabim që nuk do të bëjmë është të mos jemi Spanja, do ta luajmë ndeshjen nga minuta e parë në të 90-ën. Pastaj mund të humbasim, të fitojmë apo të barazojmë, por unë e di se skuadra jonë do ti qëndroje besniike shpirtit të saj”.

 


Shtuar 5.07.2021 14:48