Pogba: E ardhmja? Nuk e kam numrin e Al-Khelaifit

Paul Pogba është një ndër emrat e nxehtë të merkatos. Ka vetëm një vit kontratë me Manchester United dhe zërat për një lamtumirë të mundshme janë gjithmonë e më të fortë. Me shumë mundësi, gjatë kësaj vere dyshimet mbi të ardhmen e Pogba do të zgjidhen, rinovim ose shitje. Klubi anglez natyrisht që nuk mund t’ja lejojë vetes që të rrezikojë që ta humbasë një lojtar si ai me kosto zero. Mino Raiola e di dhe mund t’i jetë futur që tani punës për të zgjidhur situatën. Që nga konferenca për shtyp e Kombëtares franceze, Pogba foli edhe për temën e shumëdiskutuar të së ardhmes së tij.

” Më mbetet një vit kontratë, e dinë të gjithë. Nuk kam ende një propozim konkret për rinovimin me Manchester United. Tani mendimet e mia janë te Euro 2020, jam i përqëndruar vetëm te kjo dhe te e tashmja. Kam një agjent që merret me gjithë të tjerat dhe nuk e kam numrin e Al-Khelaifit”.

Aludimi për numrin një të PSG, klub që mund të jetë një ndër më të interesuarit për Pogba, nuk mund të jetë i rastësishëm. Gjithsesi, në cdo rast Pogba, i ka shtyrë diskutimet për të ardhmen e tij pas Europianit. Në ditët e fundit në Francë është diskutruar mbi një përplasje në dhomat e zhveshjes së kampionëve të botës mes Olivier Giroud dhe Mbappe, pas një deklarate të futbollistit të Chelseat që në një farë mënyre e akuzoi lojtarin e PSG se nuk pason topin. Në lidhje me këtë cështje, Pogba deklaroi.

“Të vetmet tensione që janë këtu, janë në shpinë, në këmbë dhe për këto gjëra kemi fizioterapistët. Sinqerisht, si pjesë e dhomave të zhveshjes, si i brendshëm mund të them që s’ka asgjë. Atmosfera është shumë e bukur për të gjithë ne, mes Giroud dhe Mbappe nuk ka ndodhur asgjë. Ajo që tha Olivier është kuptuar keq. Kylian është i fortë, shënon dhe jep shumë asiste. Është shumë altruist, luan për skuadrën. Do të ishte më mirë nëse do të mbronte më shumë. Unë këtu nuk ndiej ndonjë tension, asgjë prej gjëje”.


Shtuar 11.06.2021 14:31