Situata e Kylian Mbappe ndryshon nga dita në ditë dhe ngamomenti në moment. Kalimi te Reali ende nuk është realizuar dhe së fundmi për këtë ka folur edhe trajneri i PSG, Maurico Pochettino ku ka konfirmuar se Mbappe do të jetë i ftuar për ndeshjen e nesërme dhe se francezi nuk i ka kërkuar largimin.
”Mbappe? Asnjëherë nuk kam kërkuar të largohet nga PSG. Ai do të thirret për nesër”, është shprehur argjentinasi kur u pyet për 22-vjeçarin.
“Kylian po përgatitet për ndeshjen e nesërme dhe po punon shumë mirë, ai nuk më ka thënë se dëshiron të largohet nga Parisi. Leonardo dhe presidenti ynë tashmë kanë sqaruar se cili është pozicioni i PSG -së në lidhje me të ardhmen e tij” ka shtuar Pochettino.
Pas një oferte fillestare prej 160 milion eurosh të refuzuar nga PSG, Real Madrid ka ngritur ofertën, duke i ofruar PSG-së 170 milion euro plus 10 milion bonuse, ofertë të cilën ekipi francez ende nuk ka vendosur nëse do ta pranojë apo jo.
Sidoqoftë fjalët e Pochettinos tani mund të jenë një indikacion që klubi parisien ta refuzojë edhe këtë ofertë nga klubi madrilen, dhe kësisoj të mbajë francezin në skuadër së paku edhe për një sezon tjetër.