Mauricio Pochettino ka përfunduar aventurën e tij si trajner i Chelsea, pavarësisht një përfundimi pozitiv të sezonit në Premier League, ku skuadra londineze ka arritur ta zë vendin e gjashtë në renditje.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë klubi të martën, duke deklaruar se trajneri argjentinas ka lënë detyrën “me pëlqim të ndërsjellë”.
Pochettino i ishte bashkuar Chelseas para fillimit të sezonit 2023/24, duke zëvendësuar trajnerin e përkohshëm Frank Lampard. Ai kishte nënshkruar një kontratë dyvjeçare, me një opsion për një vit tjetër, por largimi i tij ka ndodhur para përfundimit të marrëveshjes.
“Dëshirojmë të shprehim mirënjohjen tonë për Mauricio për shërbimin e tij këtë sezon. Ai do të jetë i mirëpritur të kthehet në ‘Stamford Bridge’ në çdo kohë dhe ne i urojmë të gjitha më të mirat në vazhdimin e karrierës së tij si trajner”, thuhet në deklaratën e skuadrës.
Vetë Pochettino ka falënderuar klubin për mundësinë që i është dhënë. “Faleminderit grupit të pronarëve të Chelseas dhe drejtorëve sportivë për mundësinë për të qenë pjesë e historisë së këtij klubi futbolli”, ka thënë ai të martën.