Kombëtarja shqiptare ka nisur ditën e sotme përgatitjen për dy ndeshjen e Nations League që do të luhen në muajin qershor, ndaj Islandës në transfertë dhe Izraelit në shtëpi dhe më pas një miqësore me Estoninë në “Air Albania”.
Trejneri Edoardo Reja ka dalë ditën e sotme në një konferencë për shtyp, ku foli për kundërshtarët që i pret, objektivat në këto ndeshje, si edhe lojtarët e grumbulluar.
Armando Broja, sulmuesi që të gjithë shqiptarët duan të shohin gjithmonë në fushë me kombëtaren është me Covid, edhe pse është pjesë e listës.
Reja është shprehur se shpreson që Broja të jetë pjesë e skuadrës për ndeshjen e dytë përballë Izraelit.
“Presim performanca të nivelit të lartë, sepse do jenë të rëndësishme për objektivin tonë. Kemi bërë dy miqësore pozitive, të vazhdojmë në këtë mënyrë përpara me ndeshje të nivelit të lartë.
Rëndësi ka të jemi mirë fizikisht, pasi ka problematika në fund të kampionatit. Ai që do zbresë në fushë duhet të japë 100%, nuk mund të rrezikojmë pasi janë dy ndeshje shumë të rëndësishme që duhet t’i fitojmë me çdo kusht.
Skuadra ka vlera, por nuk duhet të tregojmë mungesë përqendrimi, pasi ka rëndësi për fitimin e grupit. Aspekti tekniko-taktik ka rëndësinë e vet. Kam shumë lojtarë. Jam shumë i bindur që djemtë do luajnë shumë mirë.
E patë Romën në finalen e Conference League? Ata kanë një trajner ekspert si Mourinho, pritën momentin e tyre dhe fituan. Janë ndeshje ku ka rëndësi të madhe të shfaqemi të zgjuar, të përdorim kokën. Djemtë e dinë rëndësinë e këtyre ndeshjeve, ata që do të zbresin në fushë do të japin 100%. Kam besim te skuadra. Psikologjikisht jemi në formë të mirë.
Sulmi? Skuadra duhet të ketë ekuilibër, pastaj kemi nevojë për sulmues që finalizojnë. Kemi sulmues me vlera, ata po shënojnë, por ka rëndësi edhe pjesa e mbrojtjes. Një futbollist nuk e fiton ndeshjen i vetëm. Gjithsesi, sulmuesit janë tepër të rëndësishëm. Sulmuesit janë mirë fizikisht, janë në formë, uroj të shënojnë edhe te kombëtarja.
Strakosha? Ai ndodhet në fund të kontratë, po kalon një situatë të veçantë, kështu që më kërkoi ta lija në shtëpi, pasi një dëmtim mund t’i sjellë probleme në lidhje me merkaton. Kemi Berishën, i cili ka luajtur kohët e fundit. Kemi Kastratin, kemi edhe Selmanin i cili ka bërë mirë në Turqi, ai po rritet. Kemi shumë lojtarë.
Kemi edhe lojtarë si Asllani, i cili është bërë një titullar dhe ka zhvilluar një sezon shumë të mirë. Ai është 20 vjeç dhe ndodhet në tratativa me klube të mëdha. Nuk ka rëndësi mosha, rëndësi ka që djemtë të stërviten bashkë. Po ndjek edhe lojtarë të tjerë të rinj, edhe ata të Shqipërisë U21.
Mungesa e Manajt? Kemi folur me të gjithë, fola edhe me Brojën. Ai është me Covid, ndodhet në shtëpi dhe shpresoj ta rikuperoj për ndeshjen me Izraelin. E njëjta gjë edhe me Manajn, ka pasur probleme me shpatullën. Kush nuk ka ardhur ka probleme. Fola edhe me Laçin dhe Baren, janë të dëmtuar.
Kam shumë besim te kjo skuadër, jemi rritur, por duhet të hedhim hapin përfundimtar. Tani nuk ka më alibi, duhet të luajmë mirë, këto ndeshje do të tregojnë vlerat e vërteta të kombëtares shqiptare.
Islanda? Probleme ka gjithmonë, kemi bërë edhe më parë transferta të largëta, por duhet të ikim atje dhe në Izrael, janë skuadra të forta fizikisht, sidomos Islanda. Izraeli është një ekip më teknik dhe më i shpejtë. Do i përgatisim mirë këto dy ndeshje. Jemi gati, pasi jemi përballur edhe më parë me skuadra të ngjashme. Luajtëm mirë ndaj Spanjës, po rritemi.
Kemi vuajtur në fillim kur e nisa punën, ishim në 60-70% të kapaciteteve, por po mbërrijmë në 90%-in tonë. Por, ka vështirësi për të mbërritur në 100%. Të shohim, do të ishte fantastike të fitonim grupin, një motiv krenarie për ne, stafin, lojtarin, Federatën dhe Shqipërinë.
Duhet të dominojmë, kështu fitohen ndeshjet, por duhet të kemi kujdes ndaj çdo kundërshtari. Sigurisht që kemi vlera, por duhet të jemi shumë të përqendruar në fushë, të përgatitemi mirë dhe të jemi gati për vështirësitë e dueleve. Nuk ka ndeshje të lehta. Duhet të japim gjithçka, të jemi të kujdesshëm, të jemi të përulur dhe të vlerësojmë njësoj çdo kundërshtar. Kemi nevojë për intensitet dhe përqendrim të lartë. Kur i kemi marrë ndeshjet lehtë, kemi pasur gjithmonë paraqitje negative.
A u gëzova për fitoren e Romës si ish-trajner i Lazios? Sigurisht, pasi jam italian, pastaj te Roma është edhe Kumbulla. Më erdhi keq që nuk luajti. Tifozët e Lazios të më falin, por u gëzova që fitoi një ekip italian. Pamë një shembull të bukur, skuadra që humbi shkoi te tifozët dhe u duartrokit nga ata. Ka rëndësi pranimi i rezultatit në futboll. Ishte një shfaqje e bukur e futbollit.
Stadiumi ishte i shkëlqyer, organizimi ishte fantastik. FSHF bëri një punë të mirë në organizimin e ndeshjes. Kisha pak frikë nga incidentet mes tifozëve, por ne i treguam botës – ndihem shqiptar edhe unë – që jemi të aftë për të organizuar evente të tilla. Promovim i shkëlqyer i Shqipërisë. Krenari, shpresoj të organizojmë evente të tjera në të ardhmen.
Nuk ka lojtarë që nuk po ndjekim, ka shumë të rinj që nuk i lëmë jashtë vëmendjes, i monitorojmë të gjithë. Kam ndjekur lojtarë të vitit 2009, kam biseduar edhe me prindërit e tyre për t’i bindur të zgjedhin Shqipërinë, por duhet të kenë dëshirë për të luajtur me kombëtaren. Ju bëj shumë presion prindërve, pasi ata komandojnë, prindi vendos për fëmijën e tij.
Është moment për hakmarrje ndaj Islandës. Jemi rinisur nga fitorja 4-2 ndaj Islandës në Elbasan, aty u rikthye entuziazmi. Atje humbëm për një gjysmë gabimi. Po rritemi, por nuk ka ndeshje që fitohen pa luajtur. Kemi humbur disa ndeshje për, duhet ta ndryshojmë këtë mentalitet. Duhet të luajmë gjithmonë sikur përballemi me skuadrën më të mirë në botë. Ky është problemi që kemi zakonisht. Të gjithë skuadrat janë të organizuara, trajnerët janë të gjithë të përgatitur. Komplimente edhe forcave policore dhe të sigurisë për menaxhimin e finales së Conference League”, deklaroi Reja.