Pioli flet për gjendjen shëndetësore të Maignan pas lëndimit të gjurit në Europa Ligë

Portieri i Milanit, Mike Maignan, do t’i nënshtrohet testeve mjekësore sot (e premte) pas lëndimit të gjurit, por trajneri Stefano Pioli ka besim se francezi nuk ka pësuar ndonjë lëndim të rëndë.

Maignan u detyrua të largohet nga fusha vetëm pas 21 minutave në fitoren me rezultat 3-1 të Milanit në duelin ndaj Slavia Prahës mbrëmjen e së enjtes.

Pioli përditësoi gjendjen shëndetësore të portierit në konferencën pas ndeshjes, duke përjashtuar ndonjë lëndim të rëndë.

“Mike ndjeu dhembje në gjurin e tij, por nuk duket diçka shqetësuese. Do ta shohim, por mund të them se nuk do të zgjasë shumë”, ka thënë Pioli.

Sipas asaj që raporton Sky Sport Italia, Maignan do t’i nënshtrohet testeve mjekësore në Milan sot gjatë ditës.

Ai pësoi një traumë në gjurin e tij të djathtë, por artikulacionet duket se janë të qëndrueshme raporton Sky Sport.

Reprezentuesi francez këtë sezon ka mbajtur 14 porta të paprekura në 36 ndeshje të luajtura gjithsej, duke pësuar në total 45 gola. /Telegrafi/


Shtuar 15.03.2024 13:39