Pësoi atak kardiak gjatë një miniturneu, futbollisti i Lille detyrohet të lërë futbollin

Mesfushori 29-vjeçar i Lille, Nabil Bentaleb, do t’i japë fund karrierës së tij për shkak të problemeve në zemër, të cilat u zbuluan kur ndërkombëtari algjerian iu nënshtrua testeve mjekësore për të nënshkruar për ekipin francez verën e kaluar.

Pavarësisht se gjithçka po shkonte mirë, një ngjarje e ditëve të fundit ka detyruar “fantazistin” të marrë këtë vendim.

Bentaleb pësoi atak në zemër gjatë një turneu minifutbolli me miqtë më 18 qershor. Pasi u trajtua në vendngjarje me një defibrilator, u transportua me urgjencë në spitalin e Lilës, aty ku iu nënshtrua një operacioni të mërkurën.

Tashmë futbollistit i është vendosur një stimulues i brendshëm dhe, sipas raportimeve më të fundit të prestigjiozes franceze “RMC Sport”, 29-vjeçari duhet të mbyllë përfundimisht hesapet me futbollin e luajtur, duke marrë këtu parasysh edhe rrezikun e përsëritjes së atakut kardiak.

Lojtari ka një kontratë me Lille deri në vitin 2026 dhe në ditët në vijim palët do të arrijnë një marrëveshje për ta ndërprerë atë.

Kujtojmë se gjatë karrierës së tij, Bentaleb ka veshur fanella të skuadrave të mëdha, si Tottenham, Schalke 04, Newcastle dhe Angers, ndërsa me Kombëtaren algjeriane ka zhvilluar në total 54 paraqitje.


Shtuar 27.06.2024 16:50