Pesë fytyrat e reja që duhet shikuar në Serie A

Serie A ka humbur disa nga emrat më të mëdhenj këtë verë, si Romelu Lukaku, Achraf Hakimi e Gianluigi Donnarumma. Megjithatë, pavarësisht këtyre largimeve të bujshme, skuadrat italiane nuk kanë qëndruar duarkryq. Në edicionin 2021/22 që nis të shtunën, janë disa fytyra të reja, të cilave duhet t’u kushtohet vëmendje. Gjithashtu, në xhiron e parë, ndeshjet do të zhvillohen përgjatë tri ditëve – e shtunë, e diel, e hënë – dhe në dy orare, prej orës 18:30 dhe 20:45.

Tammy Abraham (Roma)

Transferimi i sulmuesit anglez te Roma u bë në një moment vendimtar në karrierën e tij. Tammy Abraham u largua nga klubi i vetëm që ka njohur ndonjëherë, Chelsea për një projekt të pasigurt rindërtimi në një vend të ri dhe atë nën urdhrat e trajnerit të ri të Romës, Jose Mourinho. I lënë jashtë ekipit te Chelsea që nga ardhja e Thomas Tuchelit si trajner dhe i detyruar të largohet nga “Stamford Bridge” pas transferimit të Romelu Lukakut nga Interi, Abrahami do të jetë sulmuesi kryesor i Romës, ekip që jo vetëm që është jashtë Ligës së Kampionëve, por do të jetë në Ligën e Konferencës pasi përfundoi në pozitën e shtatë sezonin e shkuar në Serie A. Anglezi pritet që ta zëvendësojë te Roma, Edin Xhekon, që kaloi tek Interi. Ai do ta udhëheqë sulmin e Romës së bashku me yllin në rritje, Nicolo Zaniolon, pavarësisht se luajti vetëm 17 minuta në tre muajt e fundit të sezonit të kaluar. Kjo do të jetë një përgjegjësi e madhe për 23-vjeçarin te Roma. “Abrahami nuk e ka historinë e Edinit, i cili është 35 vjeç, por ai ka fituar gjithçka dhe është ende i ri, me potencial të madh”, tha Mourinho.

Denzel Dumfries (Inter)

Ndoshta transferimi më intrigues i verës në Serie A. Denzel Dumfries shkëlqeu në “Euro 2020” për Holandën, duke shënuar dy herë dhe duke shfaqur disa paraqitje mbresëlënëse si mbrojtës i krahut të djathtë. Interi e zyrtarizoi transferimin e holandezit nga PSV Eindhoveni në të njëjtën ditë me ardhjen e Edin Xhekos nga Roma. Përderisa Xheko do të jetë i ngarkuar për ta mbushur boshllëkun e lënë në sulm nga Lukaku, Dumfries tashmë po krahasohet si Achraf Hakimi i ri. Dumfries 25-vjeçar, pritet të përshtatet në mënyrë të përkryer në sistemin e lojës 3-5-2 të trajnerit Simone Inzaghi, dhe pritet të jetë njëri prej lojtarëve kryesorë në tentimin e Interit për ta mbrojtur titullin e kampionit të Italisë. “Jam shumë i lumtur që do të jem pjesë e kampionit të Italisë. Është një mundësi e madhe për mua dhe me padurim pres të luaj. Mendoj se do të përshtatem në mënyrë perfekte tek Interi që e ka sistemin e lojës të ngjashëm me Holandën. Shpresoj ta ndihmoj ekipin në mbrojtjen e titullit”, pranoi Dumfries.

Marko Arnautovic (Bologna)

Sulmuesi i paqëndrueshëm, Marko Arnautoviq, ka pasur një verë të zënë – u dënua me një ndeshje moslojë për fyerjen e një lojtari të Maqedonisë së Veriut gjatë “Euro 2020”, para se sistemi VAR t’ia anulonte golin për pozitë jashtë loje ndaj Italisë, me të cilin do ta kalonte Austrinë në epërsi. Megjithatë, Austria u eliminua në 1/8 e finales nga Italia, që e mposhti me rezultat 2:1 në stadiumin “Wembley” në Londër. Arnautoviq më pas i tha lamtumirë skuadrës elitare të Kinës, Shanghai Port, pasi me sa duket kërkoi një shpagim për të përfunduar një kontratë që thuhet se i sillte atij 200 mijë euro në javë. Tani në mënyrë të sigurt në veri të Italisë, 32-vjeçari shënoi gol në debutimin e tij te skuadra e Bolognas, por që nuk mjaftoi. Bologna u eliminua nga Ternana, ekip i kategorisë së dytë në raundin e parë të Kupës së Italisë. Për 32-vjeçarin, ky është kthim në Serie A. Ai në vitin 2009 iu bashkua Interit për t’u larguar vetëm pas një viti. “Jam i lumtur që jam kthyer sërish në Itali, pasi mendoj se tani jam më i pjekur se atëherë kur isha vetëm 20 vjeç”, deklaroi Arnautoviq, 32-vjeçar në konferencën e parë te Bologna.

Olivier Giroud (Milan)

Golashënuesi i dytë më i mirë i të gjitha kohërave te Franca, Olivier Giroud i bashkohet një gjenerate të sulmuesve veteranë në Serie A. Ai iu bashkua Milanit nga Chelsea, pasi luajti një rol të rëndësishëm në marshimin e ekipit nga Londra drejt lavdisë në Ligën e Kampionëve. Giroud do të jetë 35 vjeç muajin e ardhshëm, por ai nuk ka treguar asnjë shenjë se është në përfundim të karrierës së tij. Në mungesë të veteranit tjetër të Milanit, Zlatan Ibrahimoviq, për shkak të lëndimit, Giroud ka bërë përshtypje në ndeshjet parasezonale duke shënuar tri gola për ekipin italian. Me Milanin përsëri në Ligën e Kampionëve, për herë të parë që nga sezoni 2013/14, prania e Giroudit para portës kundërshtare mund të jetë pikërisht ajo që i ka munguar deri më tani trajnerit Stefano Pioli. “Është privilegj të jesh pjesë e një klubi me histori si Milani. Në fakt, ndihem me fat që do të luaj për ekipin që e kam përkrahur që nga fëmijëria. Mendoj se jam i gatshëm për sezonin e ri”, ka thënë Giroud.

Nicolas Gonzalez (Fiorentina)

Gonzalez i bashkohet Fiorentinas si fitues i turneut “Copa America” me Argjentinën dhe shtimi i tij në përbërjen e ekipin italian siguron mbështetje për sulmuesin kryesor Dushan Vlahoviq, i cili shkëlqeu sezonin e shkuar me 21 gola të realizuar në Serie A. Argjentinasi 23-vjeçar luajti vetëm një herë midis shkurtit dhe majit të sezonit të kaluar për skuadrën e Stuttgartit, pasi kishte shënuar gjashtë gola në 15 ndeshje në fillim të edicionit, por problemet e tij me dëmtimet nuk e ndaluan Fiorentinan që të shpenzonte 23 milionë euro për ta transferuar sulmuesin e krahut. Gonzalez e nisi aventurën e tij te Fiorentina në mënyrën më të mirë të mundshme. Ai shënoi një gol dhe asistoi në një tjetër derisa Fiorentina e mposhti Cosenzan me rezultat 4:0 në raundin e parë të Kupës së Italisë. “Gjithmonë kam dashur të luaj në Serie A, që është një prej kampionateve më të forta në botë. Tani, e kam këtë mundësi te Fiorentina dhe do të sigurohem që klubi të ketë një sezon të suksesshëm”, është shprehur argjentinasi Gonzalez.


Shtuar 19.08.2021 18:08

Tags: ,