Pas problemeve me shëndetin, Inzaghi merr vendimin për Kristjan Asllanin në sfidën përballë Romës

Kristjan Asllani dhe Piotr Zielinski janë jashtë skuadrës së Interit për t’u përballur me Romën, kështu që Inzaghi ka marrë talentin e ekipit të të rinjve Thomas Berenbruch.

Mesfushori shqiptar është lënë jashtë nga trajneri Simone Inzaghi, pas problemeve të shfaqura në stërvitjen e së premtes.

Mediat pranë klubit zikaltër flasin për një dëmtim në gju, i cili duket i lehtë momentalisht, por tek Interi nuk donin ta rrezikonin. Asllani vinte nga supergoli që i dha fitoren 0-1 Shqipërisë në Tbilisi.

Lajmi i mirë për trajnerin Simone Inzaghi është rikthimi i Nicolò Barella, i cili u detyrua të tërhiqej nga detyra ndërkombëtare për Italinë në Ligën e Kombeve për një problem muskulor.

Interi luan të diel në udhëtim me Romën në orën 20:45, me sfidën që vlen për javën e tetë në Serie A.


Shtuar 19.10.2024 17:23