Luka Modriç po përgatitet të nisë sezonin e tij të dytë me Milanin, me synimin për të luftuar për objektivat e klubit dhe për të dhënë kontributin e tij në skuadër.
Të lidhura
None found
Mesfushori kroat pranoi se dëshira për të qëndruar në Milano kishte qenë gjithmonë e pranishme, edhe pse përpara vendimit përfundimtar duhej të merrte në konsideratë edhe disa rrethana të tjera. “Diku brenda vetes e dija se doja të vazhdoja me Milanin, por duhej të shqyrtoja edhe disa çështje që do ta bënin të mundur këtë. Tani jam këtu dhe jam i lumtur që jam rikthyer”, u shpreh ai.
Duke iu referuar ndeshjes së fundit, Modriç e përshkroi atë si zhgënjyese, pasi sipas tij skuadra po zhvillonte një paraqitje të mirë. “Frustrimi është fjala që do të përdorja për ta përshkruar ndeshjen e fundit, sepse po luanim mirë”, deklaroi kroati.
Ai kujtoi gjithashtu se Milani qëndroi në garë për titull deri në mars, ndërsa në planin personal u ndikua nga një dëmtim. “Deri në mars ishim në garë për titullin. Për mua ishte e dhimbshme që lëndimi nuk më lejoi ta ndihmoja ekipin në të njëjtën mënyrë si më parë”, tha Modriç.
Edhe pse kuqezinjtë nuk siguruan një vend në Ligën e Kampionëve, mesfushori veçoi disa aspekte pozitive të sezonit, veçanërisht atmosferën në klub dhe marrëdhëniet mes lojtarëve. Sipas tij, respekti i ndërsjellë në dhomën e zhveshjes mbetet një nga pikat e forta të skuadrës.
Gjatë Kupës së Botës në Meksikë, Kanada dhe Shtetet e Bashkuara, Milani vazhdoi të ishte pjesë e mendimeve të tij. “Në ditët e para mendoja vetëm për atë që nuk shkoi mirë, pas një viti shumë pozitiv”, tregoi ai.
Modriç shtoi se më pas u përqendrua te detyrat me Kroacinë, por nuk e ndërpreu komunikimin me klubin italian. “Duhej të fokusohesha te Kroacia dhe Kupa e Botës, megjithatë qëndrova gjithmonë në kontakt me Milanin. Klubi ishte vazhdimisht në mendjen time, pavarësisht angazhimit me kombëtaren”, u shpreh ai.
Futbollisti kroat tha se gjatë gjithë vitit kishte ndier mbështetjen e tifozëve, në çdo vend ku skuadra ishte paraqitur. Ai theksoi se kjo dashuri e shtyn të japë maksimumin për ta përfaqësuar denjësisht Milanin.
“Kam luajtur për klubin më të madh në botë, Real Madridin, por mendoj se Milani është në të njëjtin nivel. Kur flitet për Milanin, mënyra është ndryshe nga ajo që përdoret për klubet e tjera”, deklaroi Modriç.
Ai shtoi se madhështinë e klubit e kupton menjëherë sapo bëhesh pjesë e tij. “Kur mbërrin këtu, e kupton këtë. U ndjeva sikur të kisha qenë pjesë e këtij klubi prej vitesh dhe kjo më motivon të jap edhe më shumë”, përfundoi Modriç.
