Juventusi nuk ka ndër mend ta lëshojë “yllin” e skuadrës, Cristiano Ronaldo. Një ndër drejtuesit më të lartë të ekipit të famshëm piemontez, Fabio Paratici, ka deklaruar se krerët e klubit kanë marrë vendimin që 36-vjeçari të vijojë karrierën në Torino, në radhët e bardhezinjve. Në këtë mënyrë, zyrtarët e lartë të “Zonjës së Vjetër” i mbyllin dyert një klubi si Manchester United dhe gjithë spekulimeve mbi një rikthim të mundshëm të yllit luzitan në radhët e “Djajve të Kuq”.
Paratici shpjegoi se drejtuesit e klubi janë mbledhur për të diskutuar në lidhje me të ardhmen e Cristiano Ronaldo-s, pas eliminimit zhgënjyes të Juventusit në Champions nga skuadra e Portos. 48-vjeçari nga Emilia – Romagna qartësoi se CR7 nuk do të shkojë asgjëkundi, por do të qëndrojë në Torino, për të respektuar deri në fund kontratën me “zebrat”.
E ardhmja e Cristiano-s u vu në dyshim pas eliminimit të papritur të Juventusit nga “Dragonjtë”, që në fazën e 1/8. Që nga transferimi i tij nga Reali I Madridit te Juventusi për shumën e 100 milionë eurove 36-vjeçari e ka bërë më së miri punën e tij, duke shënuar me një ritëm të pandalshëm. Në vitin 2018 Cristiano Ronaldo firmosi me krerët e klubit një kontratë 4-vjeçare, që e mban lidhur me ekipin juventin deri në verën e vitit 2022. Me fanellën e Juventusit veterani portugez ia doli mbanë për t’i shtuar koleksionit të tij të pasur edhe dy tituj kampionë në Apenine, gjithsesi në edicionin aktual duket shumë e vështirë që kampionët në fuqi të jenë në gjendje për të mbrojtur me sukses titullin në Serinë A.
Edhe në këtë rast Cristiano krenohet si golashënuesi më i mirë i kampionatit italian, me plot 23 gola, pra 4 më shumë se sa ndjekësi i tij më i afërt, që është sulmuesi i Interit, Romelu Lukaku.
Pas eliminimit të parakohshëm të “Zonjës së Vjetër” në Champions, u përhapën me shpejtësi lajme të ndryshme mbi një largim të mundshëm të Cristianos nga Juvja, një vit përpara se të mbyllej në të vërtetë kontrata e firmosur në verën e vitit 2018. Manchester United dhe Real Madridi u përmendën shpesh si destinacione të mundshme për sulmuesin nga Madeira, pa harruar gjithashtu edhe interesimin e vazhdueshëm të drejtuesve të Paris SG, për 5 herë fituesin e Topit të Artë.
Nga sa kuptohet, Cristiano nuk është fare i interesuar për të zgjatur kontratën aktuale, kështu që drejtuesit e Juventusit përballen me misionin e vështirë për të përcaktuar të ardhmen e tij. Kuptohet, dy janë zgjidhjet: ose do të arrihet në kohë një marrëveshje me një ndër klubet e interesuar, në mënyrë që bardhezinjtë këtë verë të mbrojnë në njëfarë mënyre investimin e tyre, ose Cristiano Ronaldo do të largohet si futbollisti i lirë në mesin e vitit tjetër.
Drejtori Sportiv i Juventusit deklaroi për “Sky Sports Italia” se është marrë një vendim përfundimtar në lidhje me të ardhmen e futbollistit luzitan dhe krerët e klubit bardhezi kanë rënë dakord për ta mbajtur me çdo kusht Cristianon. Pavarësisht deklaratës së bujshme të drejtorit sportiv të klubit, bardhezinjtë nuk po kalojnë moment të mira, duke patur parasysh humbjen poshtëruese që skuadra pësoi brenda në Torino nga një skuadër modeste si Benevento, që drejtohet nga ish-sulmuesi i tyre Filippo Inzaghi, disfatë që tashmë i mban kampionët në fuqi 10 pikë larg zikaltërve të Interit, e me shumë gjasa këtë herë rekordmenët e futbollit italian do ta lëshojnë më në fund scudetto-n, pasi triumfuan për plot 9 sezone rresht në Serinë A.