Armando Broja. Ky ishte emri më i lakuar në Kombëtaren kuqezi për ndeshjen e fundit kundër Çekisë, fituar 3-0 për grupin E të Euro 2024. Sulmuesi i Chelsea është i dëmtuar dhe paçka ftesës së trajnerit të Shqipërisë, lojtari pësoi një lëndim në stërvitje dhe u detyrua të linte grumbullimin, duke u kthyer në Londër.
Tanimë trajneri Pochettino e ka lënë jashtë 22-vjeçarin edhe për ndeshjen e së shtunës kundër Arsenalit, duke i vendosur “kapakun” thashethemeve për një krisje të raporteve mes Brojës dhe stafit teknik në Kombëtare. Por çfarë thoshte Sylvinho disa ditë më parë.
“Nuk ka ndodhur asgjë. Ai vjen nga një dëmtim rreth 10 mujor, një kohë shumë e gjatë. Ka luajtur pak kohët e fundit me Chelsea-n dhe në ndeshjen e fundit atje ka luajtur vetëm pjesën e parë. Kishte një problem dhe erdhi këtu. Pasi provuam, në bashkëpunim me mjekët e Chelsea-t, vendosëm që ai nuk është në gjendje për të luajtur, ndaj u kthye atje për t’u ndjekur nga stafi i klubit anglez. Duhet shumë kujdes pas një dëmtimi si ky, ndaj është më mirë që ta ndjekin mjekët e Chelsea-t. Kjo është 100% e saktë mbi atë që ka ndodhur”, tha Sylvinho para Bullgarisë, ndeshje miqësore e fituar 2-0 nga tanët.
Në komunikatën për shtyp, Chelsea bën me dije se Broja është lënë jashtë për shkak të një dëmtimi në gjurin e majtë. Veç tij, për Chelsea nesër në 18:00 do mungojnë edhe Chalobah, Chiluell, Fofana, Lavia dhe Nkunku.