Blerim Xhemaili është i mendimit se, në këtë moment, është e vështirë të paramendohet kombëtarja e Zvicrës pa Granit Xhakën në zemër të mesfushës.
Të lidhura
None found
Xhaka nuk u grumbullua me Zvicrën këtë radhë, pasi pranoi se kishte falsifikuar një certifikatë vaksinimi kundër COVID-19.
Rasti i tij ka ndezur debate të shumta në Zvicër, ndërsa për situatën e ish-bashkëlojtarit foli edhe Xhemaili.
Ish-mesfushori i përfaqësueses zvicerane, i cili tani punon si ekspert futbolli në mediat e vendit, e ka komentuar rastin e Xhakës në një intervistë për “Blick”.
Në fillim, kur u ndal te falsifikimi i certifikatës, Xhemaili vuri theksin te nevoja për të ndarë rolin publik të futbollistëve nga jeta e tyre private.
“Futbollistët, nga njëra anë, shërbejnë si model për të tjerët. Por, nga ana tjetër, kanë edhe jetën e tyre private. Këto dy aspekte duhet të mbahen të ndara”, u shpreh ai.
“Granit Xhaka është një figurë shumë polarizuese. Prandaj është e kuptueshme që kjo temë është përfolur më shumë në rastin e tij sesa te lojtarët e tjerë”, shtoi Xhemaili.
Ai bëri të ditur se pas këtyre ndeshjeve, Federata Zvicerane e Futbollit dhe Xhaka do të shqyrtojnë të ardhmen e tij me ekipin kombëtar.
“Federata dhe Graniti do të ulen pas këtyre sfidave dhe do të vendosin për rrugëtimin e tij në ekipin kombëtar. Mendoj se Graniti dëshiron të mbetet kapiten”, deklaroi ai.
Prej shumë vitesh, Xhaka ka qenë një nga udhëheqësit kryesorë të Zvicrës, si në aspektin sportiv ashtu edhe jashtë fushës.
Kur e pyetën nëse do të mbante të njëjtin qëndrim si Federata Zvicerane në një rrethanë të tillë, Xhemaili u përgjigj se nuk ka një përgjigje përfundimtare.
“Sinqerisht, nuk di të them se çfarë do të bëja po të isha në vend të federatës. Gjithsesi, për momentin është e qartë që nuk e përfytyroj dot kombëtaren pa Granit Xhakën”, përmbylli Xhemaili.
