Deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, kërkoi që institucionet të mbajnë përgjegjësi për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës. Ajo theksoi se viktima i kishte paralajmëruar autoritetet për rrezikun vetëm tri ditë para se të vritej.
Gjatë mbledhjes së Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, Haxhiu e cilësoi ngjarjen si dëshmi të dështimit të shtetit. Sipas saj, deputetët nuk duhet të presin që vetëm gratë të kërkojnë reagim dhe drejtësi, por duhet të ngrenë vetë zërin dhe të kërkojnë llogari për çdo zyrtar që mund të ketë neglizhuar procedurat.
Të lidhura
None found
Haxhiu tha se rasti nuk duhet të trajtohet politikisht dhe se askush nuk mund të ndihet i sigurt në vend për sa kohë nuk ka përgjegjësi konkrete. Ajo iu bëri thirrje të gjithë deputetëve që ta kryejnë detyrën e tyre dhe të kërkojnë hetim për çdo veprim apo mosveprim të papërgjegjshëm lidhur me rastin.
“Një grua i paralajmëroi institucionet, kërkoi shpëtim dhe tregoi se çfarë mund të ndodhte, por paralajmërimi i saj nuk u mor parasysh. Këtu ka dështuar shteti. Për mua, letra e saj, në të cilën shpjegonte se jeta po i rrezikohej, është diçka që nuk mund të kalohet lehtë. Derisa dikush të mbajë përgjegjësi, nuk kam çfarë t’i them asaj gruaje, asnjë vajze apo askujt tjetër në këtë vend”, deklaroi Haxhiu.
Zëvendëskryetari i parë i Komisionit, Fahrush Rexhepi, shprehu dhimbje dhe shqetësim për vrasjen. Ai tha se problematikat në shoqëri janë të shumta dhe se për përmirësimin e situatës nevojitet angazhimi i përbashkët, pavarësisht pozitës nga e cila flitet.
Rexhepi vlerësoi se në shoqëri kanë degraduar shumë çështje dhe se shqetësimi i tij kryesor mbetet gjendja e vendit dhe mënyra se si po sillet shoqëria. Ai u shpreh se pret dhe beson në përmirësime përmes kontributit të përbashkët.
“Edhe ne e ndajmë dhimbjen dhe shqetësimin, jo vetëm për këtë rast, por edhe për problemet e shumta që janë shfaqur në shoqërinë tonë. Shkaqet janë të ndryshme, por secili duhet të kontribuojë nga pozita ku ndodhet, përfshirë deputetët. Shpresoj dhe besoj se të gjithë së bashku mund të sjellim përmirësime”, tha ai.
Arlinda Zekaj u vra të shtunën në mbrëmje në Vitomiricë të Pejës. Për vrasjen dyshohet kunati i saj, i cili, sipas informacioneve të bëra publike, vazhdon të jetë në arrati.
Informacionet e para bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur në shtëpi dhe se viktima dyshohet të jetë vrarë me sëpatë.
Më 22 tetor, vetëm tri ditë para vrasjes, Zekaj i kishte dërguar një parashtresë kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë. Në këtë dokument ajo kërkonte masa urgjente ndaj zyrtarëve të institucioneve përgjegjëse, duke pretenduar se ata nuk i kishin përmbushur detyrat e tyre zyrtare.
Dokumenti, i cili mban vulën e pranimit të datës 22 tetor, përmbante paralajmërimin e Zekajt për rrezikun që e kërcënonte. Ajo kishte shprehur gjithashtu frikën se institucionet do të reagonin vetëm pasi të humbiste një jetë njerëzore.





