Lionel Mesi ka arritur që më në fund të ngrejë në duart e tij një trofe me Kombëtaren argjentinase. Këta të fundit mposhtën Brazilin me shifrat 1-0, duke bërë që në dhomat e zhveshjes të shpërthejë festa në mënyrë krejt të merituar.
Megjithëse një nga më të mirët që ka njohur historia e futbollit, me një vitrinë të madhe të mbushur me trofe dhe me Kupën e sapo fituar, kjo nuk e ndalon Mesin të tregojë kurdoherë respektin për kundërshtarët e tij.
Në momentin e festës në dhomat e zhveshjes, De Paul nis të ngacmojë Brazilin, por 6 herë fituesi i Topit të Artë do të tregonte menjëherë madhështinë e tij në sjellje. Mesi reagon përnjëherë dhe i bën me shenjë shokut të tij të skuadrës të ndalojë, duke kërkuar kështu respekt për rivalët, pavarësisht se i mundën në fushën e lojës.