Nga Gjermania kërkohet të mos udhëtohet në Londër

Shefi i stafit të kancelares gjermane, Angela Merkel, ka paralajmëruar tifozët e futbollit të mos udhëtojnë në Londër për raundet e mëvonshme në Kampionatin Evropian, për shkak të frikës së rilindjes së koronavirusit.

Helge Braun i ka thënë gazetës “RedaktionsNetzwerk Deutschland” se shqetësimi kryesor është përhapja e variantit delta të koronavirusit.

Braun ka thënë se tifozët do të duhet të karantinohen dy javë pas rikthimit në Gjermani nga Britania e Madhe.

Shkalla e infeksioneve me Covid-19 ka pësuar rënie të ndjeshme në Gjermani në javët e fundit. Por, Ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn, dhe zyrtarët e tjerë, kanë folur për eksperiencën në Britani dhe variantin delta të koronavirusit.

Ky variant ka rritur rastet me infeksion në Britani dhe i ka shtyrë planet për t’i hequr masat aktuale deri më 19 korrik.

Gjysmëfinalet e “Euro 2020” janë paraparë të luhen në “Wembley Stadium” të Londrës më 6 dhe 7 korrik. Finalja do të zhvillohet më 11 korrik.

Braun ka thënë se “duhet të jemi të kujdesshëm derisa të gjithëve t’u ofrohet vaksinimi”.

Shtuar 18.06.2021 22:05