Një rast i paprecedentë është regjistruar në futbollin amator italian. Në fundjavë u luajt ndeshja mes Annonese dhe Europeo Cessalto, që përfundoi në barazim 2-2.
Arbitri kryesor, Mamady Cisse nuk dihet ku e kishte mendjen në fund të takimit dhe në protokollin zyrtar shkroi që ekipi mik kishte fituar 1-3! Një gafë e pabesueshme që rrezikon të deformojë kampionatin venecian të Kategorisë së Dytë.
Problemi, megjithatë, rezulton të jetë edhe më i rëndë, pasi raporti do të tregonte të dy firmat e drejtuesve të të dyja skuadrave, të cilët vetëm më vonë e kuptuan gabimin e kryer.
Edhe pse fusha e blertë prodhoi rezultatin 2-2, arbitri kryesor vendosi ndryshe dhe FIGC (Federata Italiane e Futbollit) njeh vetëm rezultatin që është shkruar në raportin zyrtar të ndeshjes.
Në një prononcim për mediet italiane, një zyrtar i Federatës ka komentuar episodin e ndodhur. “Problemi qëndron në bazë, raporti i gjyqtarëve është autentik.
E di që është një situatë paradoksale, por i kemi duart e lidhura. E vetmja mënyrë që të vendoset drejtësia është që arbitri të pranojë gabimin e kryer”. Gjithsesi, ndjesa nuk ka ardhur akoma nga ana e Cisse.