Napoli nuk di të ndalet, Lazio shpëton nga humbja në shtesë (VIDEO)

Napoli i vetmi ekip i Serie A këtë sezon që ruan perfeksionin. 5 ndeshje, 5 fitore, 15 pikë të grumbulluara dhe pozicionim i vetëm në krye.

Ditën e sotme ekipi i drejtuar nga Spalletti ka mposhtur  me rezultatin e thellë 0-4 Sampdorian në shtëpinë e këtyre te fundit.

Ndeshja u zhbllokua që në minutën e 10 me sulmuesin Osimhen i cili asistohet nga kapiteni Insigne. Teksa po shkohej drejt mbylljes së 45 minutave të para, është sërish Insigne që jep në top për mesfushorin Ruiz, me spanjollin që dyfishon rezultatin pikërisht në minutën e 39’.

0-2 do të ishte rezultati i pjesës së parë, me të dytën që nis po ashtu si e para. Është përsëri Osimhen që shënon golin e dytë personal dhe të tretin për skuadrën në minutën e 50’, këtë herë i asistuar nga Lozano.

Nuk do të zgjaste shumë dhe në minutën e 59 do të vinte edhe goli i 4 nga Zieliski. Rezultati 0-4 do të ishte edhe rezultati përfundimtar i kësaj ndeshje.

Lazio ka harruar të fitojë. Skuadra e drejtuar nga Maurizio Sarri do të arrinte të merrte një pikë vetëm në minutat e fundit të ndeshjes përballë Torinos.

Pjesa e parë përfundoi në barazim pa gola, ndërsa në të dytën do të ishin vendasit që do të zhbllokonin rezultatin në minutën e 76 me Pjacan. Teksa takimi po shkonte drejt fundit dhe Torino po bëhej gati të festonte, një penallti akordohet për miqtë e cila kthehet në gol nga Immobile duke barazur rezultatin në 1-1 që do të ishte edhe rezultati përfundimtar.

Lazio nuk fiton prej 3 ndeshjes radhazi dhe tani renditet në vendin e 7 me 8 pikë, ndërsa Torino në vendin e 10 me 7 pikë./albeu.com/


Shtuar 23.09.2021 20:37