Trajneri i Republikës së Çekisë, Jaroslav Silhavy e ka cilësuar fitoren ndaj Shqipërisë si mjaft të vështirë.
Ai theksoi pas sfidës se mbrojtja e ekipit të tij kishte hasur në vështirësi të mëdha dhe duhej vlerësuar për punën që kishte bërë ndaj lojtarëve cilësorë të repartit të avancuar të kuqezinjve.
“Duhet të jemi të lumtur për paraqitjen në pjesën e parë. Ne kishim 3-4 mundësi shënimi, por për fat të keq nuk realizuam. Pastaj pësuam gol para pushimit, në pjeën e dytë ia dolëm të menaxhonim situatën. Kundërshtarët na vunë në vështirësi se kishin sulmues të mirë. Lojtarët e meritojnë të përgëzohen.
Edhe kundërshtarët krijuan raste, por nuk kishte shumë të tilla. Ata luajnë në kampionate cilësore, ndaj e them përsëri që për ata në prapavijë nuk ishte e thjeshtë. E gjithë skuadra u përkushtua edhe në mbrojtje. Kur luajmë presing të lartë, është më e vështirë për mbrojtësit e qendrës, Luajtën një kundër një dhe nuk mund të gabonin, nuk e bënë një gjë të tillë”, deklaroi trajneri i Republikës Çeke.