Të martën rikthehen ndeshjet e Ligës së Kampionëve, ku vëmendjen kryesore e merr dueli mes Real Madridit dhe Interit. Takimi do të luhet në orën 21:00 në stadiumin “Santiago Bernabeu”.
Para kësaj përballjeje, Jose Mourinho mori lajmin se nuk do të ketë në dispozicion tre futbollistë. Ndërkohë, të premten, Real Madridi pësoi humbjen e parë pas rikthimit të portugezit në stolin e skuadrës, duke u mposhtur nga Raal Betisi.
Të lidhura
None found
Gjatë konferencës për shtyp, Mourinho u shfaq i tensionuar dhe një prej pyetjeve të gazetarëve shkaktoi një reagim të ashpër prej tij.
“Ju keni deklaruar se disa ish-futbollistë nuk zotërojnë përvojën e nevojshme për të drejtuar ekipet më të mira”, i tha gazetari trajnerit të Real Madridit.
“Disa janë të mirë, disa të tjerë jo. Chivu është i mirë sepse fiton”, u përgjigj Mourinho, duke folur për trajnerin e Interit, Cristian Chivun.
Më pas, gazetari e pyeti nëse Mourinho kishte komunikuar me Chivun përpara ndeshjes.
Pyetja e acaroi menjëherë trajnerin portugez.
“Po ti, kë ke telefonuar? Nënën, babanë, të dashurën apo miqtë e tu? Kë ke marrë në telefon? Dua të di kë ke telefonuar”, deklaroi Mourinho me ironi.
Gazetari u përpoq të sqaronte se synonte të kuptonte nëse trajneri madrilen e kishte zgjidhur situatën me Chivun.
“Çfarë duhej të sqaroja? Nuk ka asgjë për t’u sqaruar”, u përgjigj Mourinho, duke i dhënë fund debatit.
Ky shkëmbim i shkurtër pasqyroi edhe një herë temperamentin e Jose Mourinhos në konferencat për shtyp, veçanërisht përpara një ndeshjeje të rëndësishme të Ligës së Kampionëve.
