Man City ka shënuar fitore ndaj Chelseat me rezultat 1-0 në gjysmëfinale të FA Cup, për të siguruar finalen e madhe.
Ndeshja e zhvilluar në “Ëembley” doli të ishte shumë interesante me Blutë e Lodrës që ishin më të rrezikshëm se sa qytetarët, sidomos në pjesën e parë.
Nicolas Jackson kishte dy raste shumë të mira, por në të dyja herët u vonua shumë për të gjuajtur drejt portës.
Foden në anën tjetër, edhe pse kaloi portierin nuk qëlloi cakun pasi që Marc Cucurella largoi topin nga vija.
Cole Palmer rrezikoi në minutën e 37-të, por Stefan Ortega bëri pritje të bukur për t’ia mohuar golin.
Man City u bë i gjallë në minutën e 45-të, kur Kevin de Bruyne u rrëzua në zonë, por që nuk kishte penallti.
Edhe pjesa e dytë nisi më mirë për Blutë, që rrezikuan me Nicolas Jacskon në dy raste, por portieri Ortega ndali në dy raste gjuajtjet e tij.
Në minutën e 53-të, ishte Man City që rrezikoi me Phil Foden, por gjuajtja e tij u ndal nga portieri..
Pas këtij rasti, Chelsea kërkoi dy herë penallti, njëherë për prekje me dorë dhe njëherë për një rrëzim në zonë, por në të dyja rastet Mark Oliver nuk reagoi.
Kur të gjithë pritnin që ndeshja të shkonte në vazhdime, në minutën e 84-të, Bernardo Silva arriti të shënojë gol të bukur nga brenda zonës për 1-0.
Deri në fund nuk kishte më gola dhe Man City siguroi finalen e FA Cup, ku do të takohet me fituesin e duelit, Manchester United – Coventry City.