Skënderbeu do të tentojë rikthimin e menjëhershëm në elitë. Klubi i ka idetë të qarta për Kategorinë e Parë dhe po planifikohet të ndërtohet një ekip që të mos e diskutojë objektivin final.
Dane NdreuRamadan Ndreu, trajneri 56-vjeçar kur drejtonte Kastriotin
Para se të kalojnë tek afrimet ama, fillimisht duhet të zgjedhin një tjetër çështje. Pankina është zyrtarisht bosh, ndonëse javët e fundit të kampionatit ishte Gentjan Lici që mbajti këtë detyrë.
Pasi ra pista “Magani”, një tjetër emër del në skenë për stolin. Në Korçë vazhdojnë kërkimet dhe kandidati i radhës vjen sërish nga elita.
Bëhet fjalë për Ramadan Ndreun, që për herë të fundit ishte në krye të Kastriotit. Nuk është vetëm një opsion i diskutuar nëpërtë, por më shumë se kaq.
“Panorama Sport” mëson se Ardjan Takaj është takuar me krutanin.
Pak ditë më parë ata janë ulur me presidentin dhe kanë folur konkretisht për mundësinë e kalimit në krye të pankinës bardhekuqe.
Gazeta foli me kreun e klubit për ta pyetur konkretisht për këtë çështje. Duke mos dashur të ndalet në emra konkretë, ai sqaroi vetëm që kjo histori do të marrë zgjidhje shpejt.
“Ende nuk kemi asnjë emër konkret. Jemi duke punuar për këtë çështje. Në ato ujëra jemi”, deklaroi shkurtimisht numri një i Skënderbeut, duke e lënë të hapur gjithçka.
E megjithatë, gazeta nuk e la me kaq. Kontaktuam me Ramadan Ndreun, i cili ka konfirmuar se ka pasur një takim me presidentin e korçarëve.
Evidentoi se ende asgjë nuk është mbyllur, por nuk e mohoi dëshirën për të marrë “timonin” e Skënderbeut.
E thënë ndryshe: vullnet ka, por akord jo. Në ditët e ardhshme priten të tjera diskutime dhe nëse palët gjejnë gjuhën e përbashkët, nuk përjashtohet mundësia që 56- vjeçari të emërohet në këtë post.