Messi imazh i turizmit aty ku shkelen të drejtat e njeriut, Amnesty International: “Vërtet e mbështet këtë?”

Lionel Messi ka publikuar një postim në Instagram duke shkaktuar tërbimin e Amnesty International. Pleshti rrezikoi të krijojë në këtë mënyrë një çarje të fortë në marrëdhëniet edhe me drejtuesit e PSG-së. Kampioni argjentinas është kthyer në imazhin e ri të turizmit të Arabisë Saudite. 34-vjeçari pasi mori disa ditë pushim nga Paris Saint-Germain, shkoi në Detin e Kuq.

Sulmuesi ka shpërndarë disa foto nga varka, duke reklamuar bukuritë e vendit të Lindjes së Mesme. Llogaria zyrtare në Instagram e ‘Visit Saudi’, enti i turizmit në Arabinë Saudite, publikoi një imazh për të mirëpritur 7 herë Topin e Artë dhe miqtë e tij. 34-vjeçari u fotografua duke marrë një pritje tradicionale: “Nga Deti i Kuq në Jeddah-un historik, aventura e një jete të pret”.

Një partneritet që i befasoi të gjithë. Drejtuesit e PSG-së në fakt janë nga Katari dhe marrëdhëniet mes dy vendeve të Lindjes së Mesme nuk janë idilike, duke qenë rivalë si ekonomikisht ashtu edhe gjeopolitikisht për epërsinë e zonës. Megjithatë, pronarët e klubit francez janë njoftuar për marrëveshjen para udhëtimit të Messit drejt Arabisë Saudite.

Klubi parizian, ndër të tjera, në të kaluarën është përpjekur të ndërmjetësonte për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy vendeve dhe për të shmangur tensionet. Skuadra nga kryeqyteti francez, për shembull, ra dakord të luante Riyadh Season Cup në janar, përpara se kompeticioni të shtyhej.

PSG-ja, në këtë mënyrë, nuk është kundër partneritetit, por kritikat nuk mungojnë. Amnesty International Norëay u pozicionua kundër Messit: “Të udhëtosh në Arabinë Saudite është një gjë, por të paguhesh për të lavdëruar vendin është një gjë tjetër”. Organizata joqeveritare renditi gjithashtu të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut për të cilat akuzohet Arabia, përpara se të pyeste: “A dëshiron vërtet ta mbështesësh këtë, Messi?”

Ministri i Turizmit të Arabisë Saudite, Ahmed Al-Khatib, në mikrofonat e sportbuzzbusiness.fr, tha se ishte i lumtur me partneritetin: “Sot mirëpres Lionel Messin dhe miqtë e tij në Arabinë Saudite për një festë të veçantë. Kjo nuk është vizita e tij e parë në Mbretëri, nuk do të jetë as e fundit, dhe jam i lumtur të njoftoj se Messi do të jetë ambasador i turizmit saudit”.


Shtuar 12.05.2022 18:18