Mbledhje urgjente te Barcelona, Xavi premton: Do të jemi si Bayern

Tani nis një etapë e re për Barcelonën”. Kanë qenë këto fjalët e trajnerit Ksavi Hernandez pas humbjes në Mynih dhe eliminimit nga Liga e Kampioneve. Dhe etapa e re në Barcelonë ka nisur me një mbledhje urgjente mes trajnerit të ekipit dhe drejtuesve më të lartë të klubit mes të cilëve edhe presidenti Joan Laporta.

Barcelona preku fundin të mërkurën në mbrëmje, kur u shpartallua në Mynih përballë Bajernit 0-3. Humbja në Bavari ishte mbyllja e një ecurie ose një cikli të vështirë që kishte nisur në Barcelonë që para largimit të Leo Mesit, por që u bë dhe më i vështirë me ikjen e “Pleshtit” në Francë.

Humbja shënoi kapitullimin e Barçës në Champions në këtë edicion, ku për herë të parë pas 21 vitesh pesë herë fituesit e Champions-it nuk do të jenë në fazën e eliminimeve të drejtpërdrejta.

 

PREMTIMI I KSAVIT:
Një ditë pas humbjes në Mynih, në ambientet e klubit në Barcelonë është zhvilluar një takim i kupolës drejtuese të klubit, si dhe trajneri Ksavi Hernandez.

Presidenti Laporta, drejtori sportiv Alemani, zëvendëspresidenti Rafa Juste, drejtori i përgjithshëm Ferran Reverter dhe Zhordi Krojf kanë qenë të gjithë ku kanë diskutuar për të gjetur rrugën e daljes nga kriza sportive dhe ajo ekonomike.

Takimi ka qenë me dyer të mbyllura, por gazeta spanjolle “Sport” ka mësuar se trajneri Ksavi dhe presidenti Laporta kanë shkëmbyer premtime të ndërsjella; i pari për pjesën teknike, ndërsa i dyti në lidhje me afrimet në merkaton e dimrit.

Burime të gazetës “Sport” kanë bërë me dije se trajneri Ksavi Hernandez i ka premtuar presidentit rikthimin e shpejtë të një Barcelone konkurruese. “Me mbështetjen tuaj dhe me afrimet e mundshme në merkato, ju premtoj se brenda një viti do ta kthej Barcelonën të konkurrojë në nivelin e Bajer nit”, ka thënë trajneri Ksavi Hernandez përpara drejtuesve të klubit.

PREMTIMI I LAPORTËS – Ksavi ka bërë premtimin e tij, por duke kërkuar ndihmën e drejtuesve. Dhe presidenti Laporta nuk është kursyer. Ai ka premtuar se do të bëjë më të mirën për t’i vënë në dispozicion trajnerit lojtarët më të mirë të mundshëm për ta kthyer Barcelonën në rrugën e suksesit. “Unë do të bëj gjithçka për të ndihmuar që ta kthejmë ekipin në rrugën e suksesit”, i ka premtuar Laporta trajnerit Ksavi.


Shtuar 11.12.2021 11:42