Manchester City dorëzohet për Messin, argjentinasi zgjedh qëndrimin te Barça

Manchester City tërhiqet nga gara për të firmosur me Lionel Messin. Gazeta katalanase Sport.es raporton se drejtuesit e klubit anglez nuk do të bëjnë asnjë tentativë për të transferuar në Etihad Stadium, yllin argjentinas gjatë verës së ardhshme pasi Messi e ka bërë tashmë zgjedhjen e tij.

Joan Laporta me projektin e tij ambicioz ka bindur 6-herë fituesin e Topit të Artë të qëndrojë te Barça edhe për disa vite dhe pse jo ta mbyllë karrierën në Camp Nou me Messin që pas disa javësh do të hedhë edhe të bardhën mbi të zezë për të rinovuar kontratën aktuale që i skadon në verë me Barcelonën.

Sport.es zbulon se Manchester City nuk do të bëjë asnjë ofertë për yllin argjentinas por do të përqëndrojë vëmendjen te objektiva të tjerë si Haaland, Lukaku apo Mbappe që pëlqehen shumë nga Guardiola. Citiziens kanë detyrën për të zëvendësuar edhe Sergio Agueron që ka vendosur të largohet nga Anglia në verë dhe do ta bëjnë një afrim të madh në sulm, por lojtari që do të zbarkojë në Etihad Stadium nuk do të jetë Messi.

Pikërisht zyrtarizimi i largimit të Agueros nga Manchester City është një tjetër sinjal tregues se Messi nuk do të transferohet në Angli, pasi kushti i Leos ishte që të luante në të njëjtin klub me shokun e tij në kombëtare El Kun. Për të rinovuar me Barçën Messi i ka treguar kushtet e tij presidentit Laporta ku parësore është ndërtimi i një skuadre të fortë që të luftojë për fitimin e Champions League, me presidentin e ri që ka premtuar blerje big në merkato.

Shtuar 31.03.2021 12:03