Man City shkatërron Juventusin dhe e mbyll fazën e grupeve në Botëror si lider

Manchester City e ka shkatërruar Juventusin në kuadër të fazës së grupeve në Kupën e Botës për Klube, duke e mposhtur 5-2.

Pas vetëm nëntë minutash lojë, Jeremy Doku kaloi Citizens në epërsi me një asistim të Ait-Nourit.

Por, vetëm dy minuta më vonë, Zonja e Vjetër i barazoi shifrat në 1-1 me golin e Teun Koopmeiners.

Pierre Kalulu ishte i pafat në minutën e 26-të, pasi shënoi auto-gol nga një aksion që nuk paraqiste rrezik për portën e Bianconerëve.

Manchester City vazhdoi të dominonte minutat e mbetur të pjesës së parë, duke krijuar edhe disa raste të sigurta për gol.

Në minutën e 52-të, Erling Haaland thelloi epërsinë e Citizens, kur shënoi për 3-1 me një asistim të Matheus Nunes.

Radha për gol i erdhi edhe Phil Fodenit, kur shënoi për 4-1 në minutën e 69-të nga një asistim i Savinhos.

Savinho (75’) më pas ndryshoi rol, nga asistues në golashënues, kur realizoi për 5-1.

Dusan Vlahovic realizoi për 5-2 në minutën e 84-të, por që ishte vetëm sa për ta kënaqur vetën.

Manchester City e mbyll këtë fazë si lider me nëntë pikë në Grupin G, tri më shumë se Juventusi, Al Ain më tri dhe Whydad Casablanca pas asnjë.


Shtuar 26.06.2025 23:04