Luiza Gega vendos “Diktaturën”, merr 3 medalje të arta në kampionatin Ballkanik të Atletikës

Luiza Gega vazhdon të impresionojë në garat ndërkombëtare duke vijuar serinë disa-vjeçare e rezultateve të shkëlqyera.

Suksesi më i fundit për Gegën ka ardhur nga Kampionati Ballkanik të Atletikës, eveniment i zhvilluar më datat 22-23 korrik në Kraljevo të Serbisë.

Luiza, e cila paraqitej në këtë event si kampione në fuqi e Europës, jo vetëm që i justifikoi të gjitha pritshmëritë, por i tejkaloi ato.

Si askush tjetër në historinë e Ballkanikut, 34-vjeçarja shqiptare arriti që të fitonte 3 medalje të arta, dy në ditën e parë dhe një në ditën e dytë.

Një tjetër paraqitje historike nga Gega, e cila bëhet sportistja e parë shqiptare që siguron me normë kualifikimin për në Lojërat Olimpike “Paris 2024”. Paraqitje të pabesueshme nga kampionia jonë, që për vite me radhë konfirmohet konstante në rezultate, duke qenë gjithnjë brenda normës olimpike.

Medalja e parë e Luiza Gegës në Kampionatin Ballkanik erdhi në mëngjesin e së shtunës, në disiplinën e saj të preferuar në 3000 metra me pengesa.

Gega fiksoi një kohë mjaft të mirë, për ta ndalur kronometrin në 9:21.53, duke e kaluar e shkëputur finishin, për të futur në kasafortë medaljen e parë të artë.

Vetëm disa orë më vonë do të vinte e arta e dytë, këtë herë në 3000 metra. Gega regjistroi kohën 9:21.48 për të fituar sërish e shkëputur, duke siguruar një tjetër vend të parë.

Por kampionia kuqezi nuk do të ndalej me kaq, pasi sot në ditën e dytë të aktivitetit (sot), do të kompletonte tripletën e medaljeve të artave, rezultat që nuk e kishte arritur asnjë sportist tjetër në historinë e këtij kompeticioni.

Kështu Luiza u shpall kampione edhe në garën e 5000 metrave, duke fiksuar rezultatin 16:07.93, për ta ngjitur për herë të tretë flamurin shqiptar në shkallën më të lartë të podiumit në Serbi.

 


Shtuar 23.07.2023 20:27