Itali-Spanjë nuk është asnjëherë një sfidë e lehtë për askënd dhe këtë e pranon Luis Enrique i cili ka eksperiencë si lojtar ndaj të kaltërve dhe si trajner ku ka punuar në krye të Romës në Serinë A.
Trajneri i La Rojas, i cili si lojtar ka lënë pamje që kanë mbetur në arkiva kur në 1994 u gjakos në duelin me Italinë nga Tassoti por ai nuk e shikon si një revansh.
“Ajo skenë tashmë bën pjesë në arkivat e historisë time sportive. Kam patur mundësinë ta njoh nga afër Tassotin, është një njeri shumë i mirë dhe nuk kam synim të luajmë për një hakmarrje ndaj tyre”.
Lidhur me duelin gjysmëfinal ndaj Italisë në Europian, trajneri spanjoll e pranon se do të jetë shumë e vështirë teksa për të kaltërit tha fjalë shumë të mira.
“E dua Italinë, më pëlqen Roma që është qytet i jashtëzakonshëm dhe kam kaluar një eksperiencë fantastike edhe pse vetëm një sezon. Për mua është gjithmonë kënaqësi të luash ndaj Italisë, dhe nuk do të jetë vetëm kjo gjysmëfinale por edhe ajo në Nations League në Nëntor. Nuk do të jetë aspak e lehtë për në e për ata”.
Ndërkohë për këtë duel foli edhe sulmuesi Gerard Moreno i cili e parashikon shumë të forte teksa shtoi se nuk ka aspak frikë nga Italia.
“Do të përballen dy nga kombëtaret më të mira në botë, që të dyja skuadrat bëjnë një lojë të bukur, offensive dhe spektakolare. Do të jetë stimuluese dhe e vështirë për ne por edhe për Italinë. Frikë nga ata nuk kemi por meritojnë respekt ashtu siç e meriton edhe Spanja”, përfundoi lojtari i Villarreal në prag të ndeshjes në “Wembley”.