Lojtarët e sulmuar brenda dhe jashtë stadiumeve me acid, federata e Malajzisë u kërkon të punësojnë truproja

Federata e futbollit të Malajzisë sugjeroi të mërkurën që lojtarët e vendit të punësojnë truproja pas një serie sulmesh ndaj lojtarëve të kategorisë së parë.

Tre lojtarë janë lënduar në rrethana të ndryshme në vetëm një javë.

I fundit përfshinte ish-mesfushorin e Malajzisë, Safiq Rahim, të cilit iu thye xhami i makinës nga sulmuesit të martën ndërsa ishte brenda automjetit të tij.

Johor DT, klubi i Rahimit, përforcoi sigurinë e skuadrës pas incidentit. Rasti më i rëndë ka ndodhur të dielën me Faisal Halimin, anësor i Selangor FC.

Ai u la në një gjendje kritike pasi u godit nga acidi në një qendër tregtare.

Lojtari i ekipit kombëtar Akhyar Rashid u plagos në një grabitje jashtë shtëpisë së tij në shtetin lindor të Terengganu javën e kaluar.

Policia e Terengganu tha se sulmet nuk kanë lidhje, por janë ende nën hetim. Dhuna ndaj futbollistëve në Malajzi është e rrallë.

Safiq, i cili nuk u lëndua, zbuloi në Instagramin e tij se dy burra me motoçikletë iu afruan makinës së tij me një çekiç dhe ia thyen xhamin e pasmë.

“Nuk e prisja që do të më sulmonin pranë qendrës stërvitore JDT. Duhet të jemi vigjilentë”, deklaroi ai.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Malajzisë, Hamidin Mohd Amin u bëri thirrje lojtarëve që të marrin masa shtesë sigurie, si marrja e truprojave personale.

“Ndërsa jo të gjithë lojtarët mund të përballojnë të punësojnë truproja, është një ide e arsyeshme, veçanërisht për lojtarët e famshëm që mund të tërheqin vëmendjen e padëshiruar”, i tha ai gazetës malajziane New Straits Times. /Telegrafi/


Shtuar 8.05.2024 17:30

Tags: