Liverpool ringjall shpresat për Ligën e Kampionëve, mposht United në “Old Trafford”

Ndeshja e shtyrë ndërmjet Manchester Unitedit dhe Liverpoolit, për shkak të protestave të tifozëve, ka përfunduar sonte me fitoren e të përzgjedhurve të teknikut gjerman, Jurgen Kloop.

Futbollistët e Manchester United tashmë janë përshëndetur nga titulli, pasi këtë ia pamundësoi City tri xhiro para përfundimit të garave dhe në ndeshjen në “Old Trafford” kundër ish-kampionit  nuk kishin imperativ fitoren.

Kjo e fundit më shumë i nevojitet Liverpoolit, i cili po lufton për një vend që siguron Ligën e Kampionëve.

Bruno Fernandes pas vetëm dhjetë minuta lojë solli United në epërsi prej 1:0. Mysafirët arritën te barazimi përmes Jota në minutën 34, ndërsa Firminho solli  “Të kuqtë” në epërsi në minutën e tretë të kohës shtesë të pjesës së parë.

Futbollistët e Liverpoolit erdhën shumë shpejt edhe deri te goli i tretë vetëm dy minuta pas fillimit të pjesës së dytë përmes Robert Firminho.

Rashford në minutën 68 zvogëloi epërsinë e mysafirëve, por kjo ishte e tëra që Manchester United arriti të bëjë. Egjiptiani Salah u dha fund shpresave të vendëse për një barazim me golin e shënuar në minutën 90, duke siguruar fitoren e 17 për skuadrën e Liverpoolit në këtë edicion garash.

Pas 36 ndeshjeve, Manchester United mbetet në vendin e dytë në tabelë me 70 pikë, dhjetë më pak se tashmë kampioni i ri Manchester City i Pep Guardiola.

Liverpool renditet në pozitën e pestë me 60 pikë, katër më pak se Chelsea në vendin e katërt, por me një ndeshje më pak të zhvilluar.

Deri në fund të sezonit pritet luftë e ashpër ndërmjet Liverpool dhe Chelsea për vendin e katërt që siguron Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.


Shtuar 14.05.2021 13:49