Lewandowski në historinë e Bundesligë-s, bëhet shënuesi i dytë më i mirë

Robert Lewandowski po shkruan me gërma të arta emrin e tij në historinë e Bundesligas. Viti 2020 ishte vërtet special për Levën që fitoi edhe çmimin e futbollistit më të mirë të vitit nga FIFA, pas suksesit të trefishtë që arriti me Bayern Munich. Por edhe 2021 po ecën në perfeksion për shtatlartin e sulmit bavarez i cili nuk rresht së shënuari dhe vazhdon të shkëlqejë në Bundesliga dhe Champions. Lewandowski realizoi edhe në suksesin e fundit që arriti Bayerni me shifrat 1-3 në transfertën ndaj Werder Bremen. Me golin e tij 32-vjeçari arriti kuotën e 32 finalizimeve në këtë sezon, duke vendosur edhe një rekord tjetër.

Sulmuesi polak u bë golashënuesi i dytë më i mirë në historinë e Bundesligas, me 268 gola në 345 ndeshje. 32-vjeçari barazoi në renditje Klaus Ficher, i cili e ka arritur këtë kuotë golash në 535 ndeshje. Më mirë se bomberi i bavarezëve ka bërë vetëm legjenda Gerd Muller. Gjermani është ndalur në 365 gola në 427 ndeshje, një shifër shumë e lartë. Megjithatë, Leva mund të arrijë këtë rekord nëse luan me Bayernin dhe për disa vite, pasi po kalon periudhën më të mirë të karrierës së tij dhe nëse vazhdon me këto ritme me siguri pas 3 apo 4 sezonesh mund të jetë ai kryegolashënuesi më i mirë i historisë së Bundesligas.

 


Shtuar 14.03.2021 13:25