Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, reagoi pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Të lidhura
None found
Gashi deklaroi se asnjë vendim gjyqësor nuk mund ta zhbëjë rolin e Thaçit, Krasniqit, Veselit dhe Selimit në një prej kapitujve më të lavdishëm të historisë së Kosovës.
Edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, e cilësoi vendimin e sotëm të gjykatës në Hagë si të padrejtë dhe thellësisht zhgënjyes.
Ai u bëri thirrje qytetarëve për maturi dhe unitet, duke theksuar se nuk duhet lejuar përçarja dhe as njollosja e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ahmeti tha se aktakuza i ngarkonte Thaçin, Krasniqin, Veselin dhe Selimin me një sërë krimesh të pretenduara gjatë viteve 1998-1999. Sipas tij, edhe këto akuza pritet të rrëzohen gjatë procesit të mëtejshëm gjyqësor, njësoj siç nuk u materializuan pretendimet e mëparshme për trafikim organesh.
Ai shtoi se vendimi i sotëm i Hagës ndaj krerëve të UÇK-së është zhgënjyes dhe thellësisht i padrejtë për popullin e Kosovës dhe për të gjithë kombin.
Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, e përshkroi dënimin e ish-krerëve të UÇK-së si një vendim zhgënjyes dhe të padrejtë ndaj popullit të Kosovës dhe kombit në tërësi.
Ndërsa Bilall Kasami shprehu keqardhje për vendimin e Dhomave të Specializuara për dënimin e ish-drejtuesve të UÇK-së, duke e cilësuar atë si të rëndë ndaj njerëzve që kanë dhënë kontributin e tyre për çlirimin e Kosovës.
Përmes reagimeve të publikuara në Facebook, drejtuesit e VLEN-it nënvizuan se përpjekja për drejtësi duhet të vijojë deri në fitoren e saj.
