Laporta mbetet opimist: Besoj se Messi do të rinovojë me Barcelonën

Presidenti i Barcelonës prezantoi sot afrimin e dytë të merkatos së verës për katalanë, mbrojtësin Eric Garcia, i cili rikthehet në “Camp Nou” pas një eksperience te anglezët e Manchester City-t.

Edhe mbrojtësi i talentuar spanjoll vjen pikërisht nga “citizens” ashtu si Sergio Aguero, që u prezantua ditën e djeshme, ndërsa Laporta flet edhe për të ardhmen e Lionel Messit, duke u shfaqur mjaft optimist për rinovimin e kontratës.

“Kemi folur edhe dje me Agueron dhe besoj se Leo do të rinovojë, për të luajtur bashkë me El Kun, pasi të dy janë miq shumë të mirë. Për të nuk është çështje parash, pasi e dimë mirë kuadrin e veprimit, por Leo po reflekton, pasi dëshiron garanci për një skuadër konkurruese si në Spanjë, ashtu edhe në Europë”, u shpreh numri një i katalanëve.

Një tjetër emër që nuk është konfirmuar ende për sezonin e ardhshëm te Barcelona, është edhe trajneri holandez Ronald Koeman, për të cilin Laporta thotë se klubi po bën vlerësimet e duhura dhe shumë shpejt do të marrë një vendim.

“Me Koeman kemi folur dhe po vijojmë të flasim vazhdimisht, për të bërë vlerësimet e duhura për të ardhmen. Nuk mund të them me saktësi se çfarë do të ndodhë, por mund të them se për momentin e shoh më shumë brenda projektit, sesa jashtë. Edhe ai po bën vlerësimet e duhura, para se të vendosim së bashku për të ardhmen e klubit”, tha presidenti i Barcelonës.


Shtuar 1.06.2021 22:24