Lajm i keq te kombëtarja, titullari i mbrojtjes humb ndeshjen me Anglinë

Lajm i keq para ndeshjes së rëndësishme ndaj Anglisë. Mbrojtësi i kombëtares sonë, Marash Kumbulla nuk do të jetë i gatshëm për trajnerin Reja në ndeshjen e nesërme në “Air Albania”.

Ai ka pësuar një dëmtim në gju në ndeshjen e kombëtares sonë ndaj Andorrës dhe ka ndjerë shqetësime, teksa pritet të lërë grumbullimin, për t’u kthyer në Romë, ku do kryejë të gjithë ekzaminimet e nevojshme. Flitet për një dëmtim delikat në menisk, por mbetet për t’u qartësuar pas vizitave.

E sigurt është se ai nuk do jetë pjesë e ndeshjes së nesërme, humbje e madhe për Rejën, në një ndeshje kur mbrojtja duhet të ishte e plotë për shkak se “Tre Luanët” janë një nga kombëtaret më ofensive në Botë. Më shumë pritet të mësohet nga vetë trajneri Reja në konferencën e sotme për mediet.

Shtuar 27.03.2021 01:03