Laçi shkon në gjysmëfinale, Sherri bën heroin te penalltitë ndaj Partizanit (VIDEO)

Laçi ia ka dalë mes shumë vështirësive të një ndeshje që zgjati më shumë se 120 minuta dhe që u vendos nga penalltitë, të shkojë në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë duke eliminuar në shtëpi Partizanin.

Takimi ishte shumë i luftuar nga të dyja skuadrat që e kërkonin me ngulm kualifikimin, ndërkohë që për t’u theksuar është edhe alarmi që solli rrëzimi në fushë i Kirian Nuabueze në minutat e para të sfidës, megjithatë për fat të mirë u ngrit në këmbë dhe vazhdoi lojën deri në minutën e 55.

Ndërkohë, me minutat që kaluan, asnjë nga ekipet nuk konkretizoi dhe kështu sfida përfundoi te penalltitë. Aty të besuarit e trajnerit Shpëtim Duro u treguan më të zotë dhe fituan me rezultatin 4-3.

Për kurbinasit gaboi nga pika e bardhë Musta, ndërsa për Partizanin, Bardhi dhe Cara u hipnotizuan nga portieri, Alen Sherri. Kështu, kurbinasit vazhdojnë për në gjysmëfinale dhe pas vendit të parë në kampionat, vijojnë të jenë në luftë edhe për kompeticionin e dytë për nga rëndësia në vend.


Shtuar 17.03.2021 16:25