Imagjinojeni, në vitin më të vështirë të dekadës së fundit, Skënderbeu siguron mbijetesën në mënyrën më të jashtëzakonshme të mundur, dhe do të luante për Europën në finalen e Kupës nëse nuk do të ishte për shkak të dënimit të Uefa-s. Në krahun tjetër imagjinoni Vllazninë, që me një mrekulli do të kishte fituar kampionatin dhe do të luante për trofeun e dytë sezonal, në një vit që askush nuk e mendonte. Skenari në prag të finales së Kupës nuk është i tillë, megjithatë Vllaznia dhe Skënderbeu këtë vit bënë realisht një mrekulli.
Shkodranët, askush nuk i mendonte të ishin në garën për titullin deri në fund dhe mbi të gjitha të humbisnin titullin vetëm me diferencë golash ndaj kjo finale do të jetë një mundësi për Vllazninë për t’u rikthyer te trofetë pas 13 vjetësh, për të përsëritur vitin 2008 dhe për të krijuar një vazhdimësi për të ardhmen, aq më tepër që dhe çështja e pronësisë së klubit tanimë është e zgjidhur.
Në krahun tjetër Skënderbeu mrekullinë e bëri me Memellin në stol, që në mënyrë të pamenduar shpëtoi ekipin direkt, çoi skuadrën në finalen e Kupës së Shqipërisë dhe tanimë luan për trofe dhe nëse nuk do të ishte dënimi Uefa-s do të përqafonte dhe Europën në një sezon të pamenduar. Trofeu i Kupës për të dyja skuadrat do të jetë qershia mbi tortë për secilën prej tyre, në një sezon ku si Skënderbeu dhe Vllaznia realizuan nga një mini-mrekulli.