Kjaer do të operohet, qëndrimi jashtë fushave do të jetë i gjatë

Telashe për Milanin, që humbi shërbimet e mbrojtësit danez Simon Kjaer, pas vetëm tre minutash në ndeshjen ndaj Genoas, ndërsa paraditen e sotme futbollisti ka kryer edhe ekzaminimet e nevojshme mjekësore, për të përcaktuar shkallën e dëmtimit.

Kështu sipas mediave italiane, Kjaer pritet t’i nënshtrohet një operacioni në gju, teksa për momentin është e vështirë të përcaktohet me saktësi koha e rikuperimit, por është e sigurt që mbrojtësi danez do të mungojë për të paktën tre muaj dhe gjasat janë që të rikthehet jo më herët se mesi i muajit mars.

Sigurisht që ky është një lajm mjaft i keq për kuqezinjtë e Milanit, që tani do të duhet të rikthejnë besimin ndaj ish kapitenit Alessio Romagnoli, i cili për më tepër duket i shpërqendruar, pasi i përfundon kontrata në fund të sezonit dhe nuk ka rinovuar ende.

Një tjetër opsion është që kuqezinjtë të rikthehen në merkato në janar, megjithatë duket e vështirë të gjesh futbollistë cilësorë në atë periudhë merkatoje, ndaj gjasat më të mëdha janë që t’u besohet të rinjve si Gabbia e Kalulu.


Shtuar 2.12.2021 16:02