Kapiteni i “përjetshëm”, legjenda e La Ligas var “këpucët në gozhdë”

Përmes një videoje emocionuese të publikuar ditën e sotme në rrejtet sociale, “veterani” spanjoll i Real Betis, Joaquin Sanchez, “kapiteni i përjetshëm” i “bardhëjeshilve” ka vendosur të njoftojë si një “rrufe në qiell të hapur”, se ky do të jetë sezoni i fundit për të në futbollin profesionist, duke i dhënë kështu fund në moshën 41-vjeçare, një karriere të gjatë prej më shumë se 2 dekadash.

Mirëpo, nëse gjithçka shkon sipas planit dhe Joaquin nuk “fiton” ndonjë dëmtim, numri 17 “legjendar” i Real Betis do të ketë mundësinë të kalojë legjendën spanjolle Andoni Zubizarreta si lojtari me më shumë paraqitje në La Liga, me anësorin e Real Betis që ka regjistruar deri më tani 615 ndeshje, ndërsa ish-portieri legjendar i Barcelona, Bilbao e Valencia ka grumbulluar 622 paraqitje.

Joaquin e bëri debutimin e tij me ekipin e parë të Real Betis, më 3 shtator të vitit 2000, me “bardhëjeshilët” që atëherë militonin në La Liga 2 (Kategoria e dytë e futbollit spanjoll). Që prej asaj periudhe e deri më tani Joaquin ka zhvilluar plot 740 ndeshje si profesionist me ekipe si Real Betis, Valencia, Malaga e Fiorentina, si dhe 51 të tjera i ka regjistruar me Kombëtaren spanjolle, por asnjëherë nuk ka qenë pjesë e grupit “triumfues” të “furia roja”, në 2 Evropianet e në Kupën e Botës të vitit 2010.

Mirëpo, edhe pse ka më shumë se dy dekada si lojtar profesionit, “dhoma” e trofeve, nuk është aq e pasur saç pritej. Joaquin mjaftohet me 3 fitore të “Copa del Rey” apo siç njihet ndryshe “Kupa e Mbretit”. Fillimisht e fitoi me Real Betis në vitin 2005, më pas në vitin 2008 me rivalët e Valencia dhe në vitin 2022 sërish me Real Betis, duke vënë “qershinë mbi tortë” një sezon para se të t’i jap fund karrierës së tij si profesionist në fushën e blertë.

Ndërkaq, kujtojmë se nga 615 ndeshjet e zhvilluar në La Liga, 400 ishin si lojtar i Real Betis, ndërsa për klubin “bardhjeshil”, Joaquin është paraqitur plot 521 herë në të gjitha kompeticionet, më shumë se kushdo tjetër në historinë e Betis. Në arkivën e tij për klubin nga Sevija, anësori 41-vjeçar regjistron më shumë se 110 gola, asistime të pafundëta dhe dribilime spektakolare që do mbeten gjatë në memorien e tifozëve të emblemës “bardhjeshile”.


Shtuar 19.04.2023 18:30