“Kam kërkuar largimin”, habit Luis Alberto: Nuk dua as 1 euro nga Lazio

Luis Alberto ka habitur jo pak tifozët me deklaratën e dhënë së fundmi. Lojtari shprehet se ka kërkuar largimin nga skuadra e Lazios dhe se nuk dëshiron më as 1 euro nga ky klub.

“Javët e fundit kanë qenë të vështira për mua. Nuk e di se cili do të jetë projekti, por mund të them se sigurisht që nuk do të jem pjesë e projektit për sezonin e ardhshëm.

Unë tashmë i kam kërkuar klubit të më ndërpresë kontratën, nuk dua të marrë një euro më shumë nga Lazio. Ky klub më ka dhënë shumë, por ka ardhur koha që të largohem dhe t’ua lë të tjerëve”, ka deklaruar spanjolli menjëherë pas fitores 4-1 ndaj Salernitanas.

Kujtojmë se nuk dihet ende arsyeja se pse lojtari ka kërkuar në këtë mënyrë largimin, teksa ka kontratë me skuadrën e Lazios deri në qershor të vitit 2027. Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë në muajt e ardhshëm mes palëve, nëse lojtari do të shitet apo do të prishë kontratën me skuadrën italiane.

Mesfushori ka bërë 302 paraqitje me fanellën e Lazios, duke kontribuar 51 gola dhe 76 asistime.

Është bërë pjesë e Lazios që në vitin 2016, kur u transferua nga skuadra e Liverpool për 4 milionë euro.


Shtuar 13.04.2024 15:24