Ka ‘syrgjynosur’ në stol Armando Brojën, sulmuesi i Fulham shpallet më i miri në Premier Ligë

Sezoni i Armando Brojës është për t’u harruar. E vetmja gjë pozitive mund të quhen ato gola me fanellën e Chelsea dhe rikthimin në Kombëtaren shqiptare.

Huazimi në janar te Fulham supozohej të sillte shpërthimin e sulmuesit që do të merrte minutat që i mungonin nga Blutë e Londrës.

Por, nuk rezultoi kështu teksa aventura te bardhezinjtë po shkon në mënyrën më të keqe.

Nëse te Chelsea mungoi për një kohë të gjatë nga dëmtimi, te Fulham nuk po luan edhe pse është në gatishmëri të plotë.

Fulham e mori në huazim për të zgjidhur ngërçin që kishte në sulm, por befasisht kur askush nuk e priste del Rodrigo Muniz, sulmuesi i ‘harruar’ në pjesën e parë të sezonit, duke shënuar rregullisht.

22-vjeçari brazilian është duke shkëlqyer që nga ardhja e Brojës teksa ka shënuar plot 8 gola në kampionat duke dërguar Fulham drejt objektivit mbijetesë.

Muaji prill ishte më produktivi për të me 4 gola e 1 asist që i mundësuan edhe çmimin “Lojtari i Muajit Prill” në Premier Ligë.


Shtuar 13.04.2024 15:16