Juventusi gjen zëvendësuesin e Di Marias, rikthen një ish në skuadër

Juventus dhe Angel Di Maria do të ndajnë rrugët në fundin e këtij sezoni teksa argjentinasi do të provojë një eksperiencë të re pas Italisë.

Nisur nga mosha e Di Marias, kërkesat e larta financiare, por edhe pakënaqësitë e lojtarit me trajnerin Massimiliano Allegri, drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” vendosën të mos rinovojnë kontratën e sulmuesit anësor.

Nga ana tjetër, drejtuesit e italianëve kanë nisur tashmë punën për të zëvendësuar 35-vjeçarin teksa i preferuari edhe si një alternativë “loë cost” është Riccardo Orsolini.

Lojtari që ka një kontratë deri në vitin 2024 me Bolognan, e ka veshur edhe më parë fanellën e Juventusit kur bardhezinjtë e transferuan nga Ascoli në moshën 20-vjeçare si një talent me shumë perspektivë.

Por, në atë periudhë Orsolinit nuk iu besua një vend në skuadrën e parë duke përfunduar në huazim tek disa klube.

Megjithatë, tashmë në moshën 26-vjeçare mund të jetë edhe momenti i duhur për t’u bashkuar me bardhezinjtë që në fakt nuk janë të vetëm në garë pasi për Orsolinin ka shfaqur interes edhe Lazio me Fiorentinën.


Shtuar 5.06.2023 18:20