“Juventus, Barcelona dhe Real Madrid gënjejnë më shumë se Vladimir Putin”

Ajo që ndërmori Vladimir Putin në Ukrainë do të mbahet mend gjatë dhe lideri rus do të merret edhe si pikë reference për të bërë krahasime me shumë liderë të tjerë, madje do të përdoret edhe në sporte.

Diçka të tillë ka bërë Javier Tebas, kreu i Ligës së Futbollit në Spanjë i cili nuk është kursyer ndaj Florentino Perez, Agnellit dhe Laportas kur bëhet fjalë për premtimet e tyre dhe atë që kanë deklaruar ata lidhur me projektin e SuperLigës së Europës.

Ai ka reaguar pas zërave se tre presidentët e klubeve të mësipërme kanë rihedhur idenë e formatit të ri por me kushte të tjera më të favorshme për klubet pjesëmarrëse teksa bëri deklaratën e fortë duke i krahasuar me Putin.

“Ne në ligat kombëtare duhet të jemi idiotë, pra, pasi të gjithë jemi kundër këtij formati. Klubet e SuperLigës gënjejnë më shumë se Vladimir Putin. Ndihem i turpëruar nga ideja e ringjalljes së Superligës. Nëse Andrea Agnelli nuk shpjegon sot projektin e ri, do të thotë se do të gënjejë. Me Barcelonën dhe Real Madridin ai u takua në shtëpinë e tij. Tani ata thonë se nuk duan vende të përhershme në Superligë dhe se nuk do të shkojnë kundër ligave kombëtare por ndihem i turpëruar sepse ata mendojnë se ne jemi idiotë. Mendojnë se La Liga, Premier League, Seria A, Bundesliga janë të gjitha idiotë dhe nuk i kuptojnë. Mundt ë them se Klubet e ligës spanjolle do të humbisnin një miliard euro në sezon”, deklaroi shumë ashpër Javier Tebas.


Shtuar 3.03.2022 14:42